×
  • Sport
  • Sport / Insporti

    ‘Duel vëllazëror’, kështu përshkruhet një lojë futbolli në mes Serbisë e Rusisë

    Insajderi
    20 March 2024 - 09:24
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    “Duel vëllazëror” – kështu njofton Federata Ruse e Futbollit për ndeshjen miqësore me Serbinë, kombëtaren e parë evropiane që luan në Moskë që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës.

    Ndërsa kombëtaret e tjera evropiane, si Anglia apo Polonia, bojkotojnë ekipin rus të futbollit, kombëtarja e Serbisë ndjek politikën shtetërore.

    Beogradi zyrtar nuk ka respektuar sanksionet e Bashkimit Evropian që nga shkurti i vitit 2022, kur Rusia dërgoi trupa në Ukrainë dhe autoritetet në Serbi nuk i kanë ndërprerë kontaktet me Kremlinin.

    Ndeshja është caktuar për 21 mars dhe trajneri serb Dragan Stojkoviq Pixi ka paralajmëruar një “stadium të mbushur plot” para nisjes së ekipit në Rusi.

    “Ne po shkojmë në Moskë për të lënë përshtypje të mirë dhe për të fituar”, ishte mesazhi i tij në konferencën për shtyp më 18 mars.

    Stojkoviç nuk e komentoi faktin se kombëtarja e Serbisë po viziton Rusinë, ndërsa kombëtaret e tjera evropiane po e bojkotojnë atë për shkak të pushtimit të Ukrainës.

    Federata e Futbollit të Serbisë dhe Ministria e Sportit nuk iu përgjigjën pyetjeve të Radios Evropa e Lirë

    Përveç Serbisë, gjatë dy viteve të fundit, Rusia ka luajtur ndeshje miqësore futbolli me një duzinë ekipe të tjera kombëtare, kryesisht nga Azia dhe Afrika – si Kenia, Kameruni, Irani dhe Iraku.

    Dy ditë pas takimit ndërmjet skuadrave të Serbisë dhe Rusisë, më 23 mars, kampionët aktualë të klubeve të dy vendeve – Ylli i Kuq dhe Zeniti nga Shën Petersburg – do të luajnë një ndeshje miqësore në Beograd.

    Gazetari nga Beogradi, Danijel Bukumiroviq, beson se sporti duhet të përjashtohet nga sanksionet e ashpra, siç është mospjesëmarrja në garat ndërkombëtare.

    “Por, nga ana tjetër, mendoj se ajo që po bën Serbia tregon qartë se çfarë lloj politike shtetërore është. Vendimet e Federatës së Futbollit të Serbisë dhe klubit Crvena Zvezda sigurisht që nuk janë të shtyra vetëm nga motive sportive,” tha ai.

    “Në këtë vend, Vladimir Putin festohet çdo ditë në mediat e kontrolluara nga shteti”, shtoi ai.

    Presidenti serb Aleksandar Vuçiq është një nga liderët e paktë që e uroi presidentin rus Vladimir Putin për fitoren e tij në zgjedhjet, të cilat Perëndimi i gjykoi si të lira dhe as të drejta.

    Putin fitoi më shumë se 87 për qind të votave në zgjedhjet e kontrolluara fort të mbajtura nga 15-17 mars.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark