Kryesuesi i Kuvendit Komunal, Xhavit Zariqi, ka aktakuzë për veprën penale “Kanosje”. Ai edhe pas pothuajse një viti nga aktakuza po vazhdon ta mbajë pozitën e tij. Zariqi dyshohet se ka kërcënuar me vrasje Mexhid Ramusën. Palët janë në proces gjyqësor, teksa është mbajtur vetëm një seancë.
E gjitha ngjarja dyshohet të këtë ndodhur për një punësim të bashkëpartiakut të Zariqit.
Çka thuhet në aktakuzë?
Gazeta Insajderi ka siguruar aktakuzën e ngritur nga Gjykata Themelore në Ferizaj ndaj Xhavit Zariqit.
Ai dyshohet se ka kërcënuar Mexhid Ramusën lidhur me një punësim.
Sipas aktakuzës, të ngritur me datë 03.11.2023, Ramusa e kishte pyetur Kryesuesin e Kuvendit Komunal, se a jeni në dijeni se është punësuar anëtari i partisë së tij në ndërmarrjen NPL “Ambienti”.
Zaqriqi, pas kësaj në aktakuzë, thuhet se ka kërcënuar Ramusën duke i thënë se “ty duhet me të vra”
“Me datë 31.08.2023, rreth orës 12:00h, në rrugën “Dëshmoret e Kombit” në Ferizaj, saktësisht para objektit Komunal në Ferizaj, i pandehuri pas një mosmarrëveshje me të dëmtuarin Mexhid Ramusa lidhur me punësim e një personi i quajtur Arton Gavazi, anëtar i partisë së të pandehurit, në atë mënyrë që i dëmtuari i’u kishte drejtuar me fjalët “a jeni në dijeni se është punësuar anëtari i partisë suaj Arton Gavazi në ndërmarrjen NPL “Ambienti” në kundërshtim me ligjin”, ashtu që i pandehuri me qëllim të frikësimit dhe shkaktimit të ankthit i drejtohet me zë të lartë duke përdorur fjalë me përmbajtje kërcënuese “ti je m…, dhe ty duhet me të vra”, me ç’ rast tek i dëmtuari ka shkaktuar shqetësim, frikë dhe pasiguri”, thuhet në aktakuzë.
Ndaj, këtij vendimi për ngritjen e kësaj aktakuzë, kryekuvendari Zariqi kishte bërë ankesë në Gjykatën e Apelit.
Kjo gjykatë në qershor të këtij viti ka refuzuar ankesën e tij si të pabazuar.
“Prokurori i Apelit në Prishtinë, me parashtresën me shkrim PPN.nr.296/24 të datës 03.04.2024, ka propozuar që ankesa e mbrojtësit të pandehurit të refuzohet si e pabazuar, kurse aktvendimi i ankimuar të vërtetohet”, thuhet në vendimin e Gjykatës së datës, 18.06.2024.
Zariqi vazhdon ta mbajë pozitën edhe pas aktakuzës
Kryesuesi i Kuvendit Xhavit Zariqi i dyshuar për veprën kanosje, vazhdon ta mbajë pozitën e tij.
Gazeta Insajderi kishte pyetur Komunën e Ferizajt se a do të shkarkohen nga pozita zyrtarët që kanë probleme me drejtësinë, ata ishin përgjigjur se para ligjit konsiderohen të pafajshëm deri në vendim të Gjykatës.
“Sa i përket pyetjes tuaj në lidhje me të apostrofuarit dhe aktakuzën e tyre, një gjë duhet të kemi parasysh siç e dini edhe ju parimin e drejtësisë atë të prezumimit të pafajsisë, këtë drejtë e kanë të garantuar me ligje të Republikës së Kospvës, që vlenë për të gjithë personat në fjalë. Në fund ne u besojmë në plotëni institucioneve të drejtësisë, deri në aktgjykimin e plotfuqishëm të gjykatës, të gjithë personat në fjalë ligji i konsinderon të pafajshëm”, thuhej në përgjigje.
Viktima, Mexhid Ramusa, tha për Gazetën Insajderi, se procesi gjyqësor është duke vazhduar.
“Procesi gjyqësor po vazhdon, është mbajt një seancë”, tha ai.
Ndërkohë, kryekuvendari, Xhavit Zariqi nuk ka kthyer përgjigje./Insajderi.org/