×
  • Sport
  • Sport

    Duka flet për Euro U21 të organizuar së bashku me Serbinë: Kjo i shërben edhe Kosovës

    Insajderi
    16 October 2024 - 14:59
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kreu i Federatës së futbollit shqiptar, Armando Duka, foli për dy ndeshjet e fundit të kombëtares së Shqipërisë, humbjen ndaj Çekisë dhe fitoren ndaj Gjeorgjisë.

    Presidenti Duka nënvizoi edhe njëherë tjetër se pse bashkëpunimi me Serbinë për të mirëpritur finalet e Europianit U-21 2027 është pozitiv.

    “Futbolli është interesant pikërisht sepse asnjëherë nuk e di kur do të fitosh, barazosh apo humbësh. Fusha e lojës mund të sjellë çdo gjë. Në nivelin që është Kombëtarja shqiptare sot është akoma më shumë e pritshme në çdo ndeshje. Ka skuadra që kanë një lloj disniveli dhe është pothuajse më shumë se 80% probabiliteti i fitores apo humbjes. Niveli që ka skuadra jonë, por edhe skuadrat e grupit ku ne ndodhemi në Ligën e Kombeve, është i tillë që çdo sfidë pritet me emocion. Me Gjeorgjinë padyshim që prisnim të fitonim sikurse dhe mund të kishim një rezultat negativ si në Tiranë,” tha në fillim Duka.

    Vendi i parë në grup?

    “Duke vazhduar me të njëjtën logjikë dhe duke besuar vërtetë në gjendjen e mirë të skuadrës, por edhe të kundërshtarëve çdo gjë mbetet e hapur sidomos me klasifikimin që kemi sot. Kryeson Çekia me 7 pikë, ne dhe Gjeorgjia jemi me 6 pikë, ndërsa Ukraina me 4 pikë. Kjo nuk do të thotë që Ukraina është skuadra më e dobët e grupit, pasi edhe Ukraina e pretendon vendin e parë në dy ndeshjet e fundit. Çdo gjë mbetet e hapur, ne kemi një avantazh pasi dy ndeshjet e fundit i luajmë në shtëpi para tifozëve tanë. Kemi lojtarin e 12-të dhe shpresojmë që ta shfrytëzojmë. Ndikimi i Presidentit është i vogël në krahasim me atë që ndikon stafi dhe futbollistët në fushë,” tha mes tjerash Duka.

    Kritikat ndaj Presidentit Duka për Europianin U-21 2027

    “I kam ndjekur, i kam dëgjuar. Kam të njëjtin qëndrim për baltosjen. Nëse duhet të rikthehem përsëri pse ne kemi vendosur që të aplikojmë për të pritur këtë Europian në Shqipëri për herë të parë në historinë e tij. Të bashkëpunojmë me një federatë tjetër siç është ajo serbe ishte një mundësi më shumë për ta pasur këtë kampionat në Shqipëri, ndryshe ishte e pamundur. Le ta gjykojmë në këndvështrimin pozitiv se çfarë të mirash i sjell Shqipërisë. Kemi benefite sportive edhe benefite politike, nëse i analizojmë. Ne ende jemi në garë dhe ende nuk është vendosur por gjasat janë që ne do jemi fitues dhe do të miratohet ky organizim. Jam nisur nga benefitet sportive, por edhe mesazhet që jep bashkëpunimi me një federatë tjetër. Mesazhi që jep është pozitiv, është mesazh paqeje, bashkëpunimi. Ne na intereson që të kemi paqe jo luftë. Ne nuk e harrojmë se çfarë ka ndodhur, se çfarë historie ka. Por unë mendoj që të ndërtojmë të ardhmen në paqe. I shërben shumë edhe Kosovës edhe statusit që pret Kosova apo perspektivës së Kosovë,” vazhdoi presidenti i FSHF-së.

    Shqetësimi i shqiptarëve të Kosovës për thirrjet e serbëve në stadiumet e tyre

    “Ne nuk e dimë se çfarë masash merr Federata Serbe sepse të njëjtën gjë mund të thonë edhe serbët, se çfarë masash do të marrë Federata Shqiptare. Unë di të them që nuk ka dhe nuk do të ketë kurrë mesazhe negative për asnjë popull tjetër. Por fatkeqësisht, nga shkallët e stadiumeve tona edhe ne i ofendojmë serbët. Pavarësisht se nuk luajmë me Serbinë. Kjo është negative nga ana jonë, kjo është negative edhe nga ana e tyre. Këtë lloj mesazhi duhet të japim. Mos të bëjmë këtë, por të shkojmë në stadium të shohim një ndeshje futbolli,” tha mes tjerash Duka në intervistën për “Euroneës Albania”.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark