
I dyshuari për lëndim të rëndë trupor dhe armëmbajtje pa leje, L.D., ka arritur të arratiset nga objekti i Pallatit të Drejtësisë, pas caktimit të masës së paraburgimit prej 1 muaji.
Lidhur me rastin detaje për Insajderin, ka dhënë zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, i cili tha se janë duke u ndërmarrë veprimet e nevojshme.
I dyshuari i ka shkaktuar lëndime edhe një polici.
“Sot rreth orës 12:00, menjëherë pas përfundimit të seancës gjyqësore, një i pandehur është arratisur nga objekti i Gjykatës Themelore në Prishtinë. I njëjti dinakërisht, duke përdorur veprime agresive të dhunshme si dhe duke përdorur forcën fizike, i ka shkaktuar lëndime trupore zyrtarit që po kujdesej për sigurinë tij me ç’ rast ka arritur të arratiset. Aktualisht policia në koordinim me prokurorin e shtetit po ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme operativo hetimore dhe ndaj të dyshuarit ka iniciuar një hetim në drejtim të veprave penale ‘’ Sulm ndaj personit zyrtar’’ si dhe ‘’ Arratisja e personit të privuar nga liria’’, tha ai.