Hysen Durmishi, zëvendësministër i Infrastrukturës, ka njoftuar qytetarët për gjendjen e rrugëve në Kosovë pas reshjeve të mëdha të borës.
Durmishi tha se të gjitha rrugët që janë përgjegjësi e ministrisë janë të hapura dhe të kalueshme.
Zëvendësministër bëri të ditur se ekipet mirëmbajtëse janë në terren dhe po ndërmarrin masa për të siguruar kalueshmërinë e rrugëve, duke ndërhyrë vazhdimisht për të përballuar kushtet e motit.
“Reshjet e borës po vazhdojnë dhe pritet që ato të vazhdojnë edhe në ditët në vijim. Ekipet e mirëmbajtës janë në teren dhe janë duke intervenuar vazhdimisht në mënyrë që të gjitha rrugët të jenë të kalueshme,” shkroi Durmishi.
Ai u bëri thirrje qytetarëve që të jenë të kujdesshëm gjatë vozitjes dhe të respektojnë rregullat e trafikut dhe kushtet klimatike.
Zëvendësministri siguroi se do të mbahet gatishmëri e vazhdueshme për të siguruar lëvizjen sa më të lehtë dhe të sigurt për qytetarët.