
Durrësi do të jetë nesër nikoqir i Samitit të Brdo-Brijunit, ku në fokus do të jetë perspektiva evropiane e Ballkanit Perëndimor.
Një rëndësi të veçantë në këtë samit do të ketë Plani i Rritjes për rajonin, i cili do të udhëhiqet nga presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj.
Në samit do të marrin pjesë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, presidentja e Sllovenisë, Natash Pirc Musar, presidenti i Kroacisë, Zoran Millanoviq, presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Takimi i këtij viti mbahet nën moton:
“Interesa të përbashkëta, angazhim i përbashkët për një të ardhme të përbashkët: së bashku drejt BE-së”.
Përveç perspektivës evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, samiti do të përqendrohet edhe në forcimin e bashkëpunimit rajonal, njoftuan organizatorët.
Nga Plani i Rritjes, Kosova pritet të marrë një total prej 880 milionë eurosh deri në fund të vitit 2027, Maqedonia e Veriut mbi 750 milionë euro, Shqipëria mbi 920 milionë euro, Serbia mbi 1.5 miliard euro, Mali i Zi 380 milionë euro, dhe Bosnja dhe Hercegovina rreth 900 milionë euro, pasi Komisioni uli fondet e tyre me 10% për shkak të vonesave në plan.