
Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Florian Dushi, ka akuzuar partinë në pushtet për sulme të koordinuara ndaj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) dhe proceseve zgjedhore.
Ai ka thënë se këto sulme po cenojnë rëndë besimin e qytetarëve në procesin zgjedhor.
Sipas Dushit, qetësia e pushtetit gjatë fushatës zgjedhore është një tregues i qartë se ky subjekt është angazhuar në aktivitete të paligjshme, përfshirë sulme kibernetike dhe përdorimin e militantëve në qendrat e numërimit të KQZ-së.
“Qetësia e pushtetit gjatë fushatës zgjedhore, është treguesi më i mirë se ky subjekt ishte i orientuar dhe angazhuar në “aktivitete” tjera që ndërlidhen me goditjen e procesit zgjedhor – prej sulmeve kibernetike deri te sulmet e militantëve bandit në qendra të numërimit të KQZ-së”.
Dushi deklaroi se është urgjente që institucionet shtetërore të mbështesin KQZ-në për të siguruar që procesi zgjedhor të përfundojë në mënyrë të shpejtë.
“Institucionet përkatëse shtetërore duhet t’i dalin në ndihmë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për t’i mundësuar përmbylljen e procesit dhe përpilimin e rezultatit në mënyrë të shpejtë e të drejtë!”, shkroi ai në Facebook.