Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani dhe Visar Korenica, kanë thënë se nuk do të marrin pjesë në asnjë votim pa u kthyer në shkollë vajza në Pejë e cila u përjashtua për shkak të shamisë.
Që të dy kanë bërë një postim të ngjashëm në ‘Facebook’, teksa Korenica e ka quajtur të jashtëligjshëm udhëzimin administrativ që nuk mundëson shaminë në shkolla, shkruan Insajderi.
“Sot në seancën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, kërkova që të mos vazhdohet me seancë pa u kthyer në shkollë një vajze mbi 18 vjeçare, e cila është larguar padrejtësishtë që nga 1 shtatori. Udhëzimi administrativ është i jashtëligjshëm, qeveria është përgjegjëse për ndryshimin e tij”, thuhet në postim.
Korenica këtë shqetësim jashtë rendit të ditës e ka ngritur edhe në seancën plenare të së enjtes.
“Është e moshës madhore, i ka 18 vjet. Çdo të dytën ditë dhe të tretën ditë përjashtohet nga drejtori Musa nikçi. Unë nuk e kuptoj se sa e drejtë është që të qëndroni juve si deputet, si kryekuvendarë të Kuvendit por edhe vetë ministria e Arsimit të mos merret me rastin dhe t’i japë të drejtë vajzës të shkojë në shkollë. Nuk ka kuptim me vazhdu me procesin e votimit edhe mos me u marrë, mos me e trajtu këtë rast me u japë të drejtën sikurse kanë të gjithë fëmijët e tjerë për shkollim. I çoj mesazh drejtpërdrejt ministres së Arsimit të merret me rastin dhe të mos lejojë të njëjtat probleme mos me na u paraqit”, deklaroi ndër të tjera Korenica.
Konjufca më pas mori fjalën, duke thënë se Korenica me këtë deklaratë kaloi jashtë rendit të ditës. Ai pati edhe disa thumbime për deputetin që nganjëherë po i del kundër subjektit politik që përfaqëson.
“Unë si kryetar i Kuvendit, masi po kërkon me qenë profesional, duhet me ta tërhjekë vërejtjen që ishe jashtë rendit të ditës. E para dhe besoj që fushata fillon kah 6-7 janari dhe e keni të gjithë kohën e mjaftueshme me i ngritë të gjitha problemet. Tash jemi për Këshillin e Kosovës për trashëgimi kulturore dhe diskutimet janë harxhu”, deklaroi Konjufca. /Insajderi.org/