Shefja e Grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, u është drejtuar qytetarëve të vendit pas gjendjes aktuale që u shkaktua nga vërshimet.
Kusari-Lila kërkoi mobilizim të të gjitha institucioneve për të kaluar situatën e rënduar që u shkaktua nga reshjet e dendura.
“Gjendja e rënduar me vërshimet e ditëve të fundit kërkon angazhimin dhe mobilizimin e të gjitha niveleve institucionale në ndihmë zonave të prekura nga vërshimet. Aktualisht, të gjitha insitucionet e nivelit qendror dhe lokal po bashkërendojnë veprimet për të sanuar dëmet dhe për të parandaluar më të keqen”, shkroi ajo.
Edhe pse dy ditë më parë, deputetja e VV’së nuk votoi Projektligjin për tërheqjen e 30 për qind të mjeteve financiare të Trustit Pensional, duke kundërshtuar kështu kërkesën e qytetarëve. Ajo sot u kujdes për shëndetin publik. Kusari-Lila u bëri thirrje qytetarëve ‘të vlojnë ujin para se ta pinë‘.
“Përveq zonave të prekura direkt nga vërshimet, edhe zonat e paprekura direkt, po ndikohen pasi sasia e ujit në liqenet natyrale dhe artificiale, prej të cilave furnizohemi me ujin e pijes, është rritur shumë dhe kapacitetet për pastrimin dhe filtrimin e ujit janë të pamjaftueshme.
Aktualisht, për t’u pirë, UJI DUHET VLUAR!”, ka shkruar Kusari-Lila në Facebook.