×
  • Lajme
  • Analiza

    Dy javë grevë, akuza e ofendime – Çka ndodhi mes qeverisë e arsimtarëve

    Insajderi
    17 September 2022 - 13:07
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Greva e cila filloi më 25 gusht të këtij viti ‘nuk shkoi me këmbë të mbarë’. SBASHK-u nuk u zmbraps ndaj kërkesave që shtruan me paralajmërim qysh nga muaji korrik. Por, kjo nuk i la përshtypje qeverisë e cila po vazhdon ‘luftën’ me grevistët, shkruan Insajderi

    Insajderi

    Grevistët rrezikuan të mbesin pa paga nga Ministria e Financave

    Ideja që greva të vazhdoj dhe punëtoret arsimor të mos kthehen në detyrën e tyre pa u plotësuar kërkesat e paraqitura nga SBASHK-u në drejtim të qeverisë, nuk i pëlqeu Ministrisë së Financave.

    Madje grevistët edhe u kërcënuan nga kjo Ministri, ata do të mbeteshin pa paga.

    Këtë e paralajmëroi sekretari në detyrë i Ministrisë së Financave, Enis Spahiu.

    Spahiu kërkoi listën e punëtoreve që duan të hynë në grevë për t’ia pezulluar pagën.

    Pretendonin se kanë të drejtë që ta bëjnë këtë. Bazoheshin në nenin 18 të Ligjit për Greva

    Në anën tjetër, Anëtari i këshillit Grevist dhe Përfaqësues i Shoqatave Sindikale të nivelit qendror, Ali Sefaj në një prononcim për Gazetën Insajderi e kishte quajtur ‘llapsuzllëk’ kërkesën e zv.sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Financave për t’ua ndalur pagën grevistëve.

    Sipas Sefajt, një listë e tillë nuk do t’i dërgohej ministrisë pasi është e kundërligjshme dhe se greva e BSPK-së është legjitime.

    ‘Unë po besoj që kjo është një llapsuz nga ana e tij për arsyeja se kjo kërkesë është e kundërligjshme dhe nuk mund të gjejë realizim. Po ashtu nuk mund ta frikësojë shërbimin civil për arsyeja se greva jonë është e ligjshme dhe kërkesat tona janë legjitime. Jo lista nuk do t’i dërgojmë ata e kanë keqkuptuar formatin pasi ministria informohet për numrin e grevave dhe jo për numrin e grevistëve”, tha Sefaj për Insajderin.

    Pagat për muajin gusht janë ekzekutuar, por çka mbetet akoma në pikëpyetje janë pagat e muajit shtator pasi listat e pagave për shërbyesit civilë tashmë janë dorëzuar në ministrin e Hekuran Muratit, përkatësisht në departamentin e Thesarit të Shtetit.

    Tendencat për njollosje të Rrahman Jasharajt, prijësit të grevistëve

    Duke e parë që dorëheqja e Jasharajt ishte larg, emri i tij u lakua nga anëtaret e Lëvizjes Vetëvendosje mjaft shumë.

    Elvis Hoxha i Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se greva e mësuesve në Kosovë, “ka për shef anëtarin e partisë serbe”.

    Duke iu referuar kryetarit të SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, këshilltari i jashtëm i kryeministrit Albin Kurti ka deklaruar se Jasharaj përdor grevën në kohën kur duhet të forcohet integriteti në veri të vendit.

    Ai, e ka ndërlidhur grevën e mësuesve, me bandat kriminale në veri.

    “Nuk është aspak e çuditshme që Rahman Jashari përdor grevën e mësuesve pikërisht kur duhet të forcohet sovranitetit në veri. Ajo që është e dhimbshme, është pjesëmarrja e mësuesve në këtë grevë që ka për shef anëtarin e partisë serbe”, ka shkruar Hoxha.

    Reagimi i plotë:

    Sa herë, përgjatë këtyre viteve të aktivizmit në Kosovë, kam përmendur me emër Hashimin, Ramushin dhe Isën, kanë qenë të shumë ata që më kanë thënë se shqiptarët e Shqipërisë nuk kanë punë në Kosovë.

    Një gjë dihet më siguri. Ndarja mes shqiptarëve vjen ose nga agjenturat, ose nga korrupsionit  ose nga pushtimi. Të tre këta fenomene ne i kemi lejuar vetë. Kur nuk jemi të pushtuar, jemi të korruptuar. Gjithnjë kemi pasur mes nesh njerëz që korruptohen ose që ndihmojnë pushtimin dhe korruptimin. Dhe janë po të njëjtët që e duan bashkimin e shqiptarëve vetëm si bashkim bandash dhe krimi të organizuar.

    Natyrisht që organizimi i bandave nis në veri të Kosovës. Nuk është aspak e çuditshme që Rahman Jashari përdor grevën e mësuesve pikërisht kur duhet të forcohet sovranitetit në veri. Ajo që është e dhimbshme, është pjesëmarrja e mësuesve në këtë grevë që ka për shef anëtarin e partisë serbe.

    Secili vijon me agjendat e veta. Por ai që më thotë mua se jam non gratta në Kosovë, sigurisht që sheh me dëshirë bashkëpunimin me serbët dhe krimin.

    Edhe Ballkani i Kapur është projekt turistik për serbët dhe izolues për shqiptarët.

    Takimi i dështuar i Kurtit me SBASHK-un

    Veç katër ditë më parë, prijësi i grevistëve Rrahman Jasharaj u takua me shefin e ekzekutivit, Albin Kurti.

    Përkundër tentimeve që kreu i SBASHK-ut tha se kishte që greva të ndalet e të arrihet një marrëveshje, dakordimi me qeverinë nuk u arrit.

    I njëjti madje tha se ishte i gatshëm që në emër të SBASHK-ut të bëjë kompromis për hir të situatës, por, qeverisë ‘nuk ia mbushi syrin’

    “Temë e nxehtë ishte edhe pakoja, por ne insistuam që kjo shuma e përmendur që nuk është pranuar nga asnjë grevist të lëvizë. Ne ishim të gatshëm të bëjmë një kompromis të vogël për hir të situatës, por Qeveria mbeti te ajo shuma e proklamuar me pakon dhe në këtë situatë nuk ka arritje. E mira e kësaj është që filloi dialogu, uroj që kryeministri të mos i mbyllë dyert, të vazhdojmë me dialogun, mbase duke dëshiruar që gjendja të stabilizohet besoj që kryeministri me stafin e tij do të diskutojnë pas këtij takimi, sepse tashmë është në dorën e tyre se çfarë do të ndodhë tutje”, kishte deklaruar Jasharaj.

    Kurti më pas e komentoi edhe bisedën që kishin të dytë, ku ndër të tjera tha se Jasharaj i tha “më ndihmo si vëlla”.

    “Si vëlla të ndihmoj privatisht, jo si kryeministër”, ka thënë Kurti.

    Përpjekjet nga VV-ja që të mos respektohet greva

    Lëvizjes Vetëvendosje nuk po i pëlqen fakti që lideri i tyre po kundërshtohet nga një Sindikatë.

    Përkitazi me këtë, kryetarët e komunave nga ku udhëheq VV-ja janë duke u munduar vazhdimisht që ta mbështesin Kurtin.

    Kryetarët e katër komunave të udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje, vazhdojnë t’i binden shefit të tyre, Albin Kurti.

    Alban Hyseni, Shpejtim Bulliqi, Qemajl Aliu dhe Kadri Rahimaj më 4 shtator ishin mbledhur në Gjilan.

    Qëllimi i të gjithë këtyre ishte t’i tregonin publikisht shefit të tyre, Albin Kurti se i binden urdhrave të tij.

    Pas takimit që kishin së bashku, përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, i pari i Gjilanit, Alban Hyseni ka bërë të ditur se ky takim kishte për qëllim ndërprerjen e grevës nga mësimdhënësit.

    Gjatë asaj dite kreu i Podujevës, Shpejtim Bulliqi dhe ai i Shtimes, Qemajl Aliu së bashku me drejtorët e drejtorive të arsimit kishin thirrur në takim drejtorët e shkollave dhe qëllimi kryesor ka qenë ndërprerja e grevës nga ana e mësimdhënësve, përkatësisht për t’i bërë presion mësimdhënësve që ta ndërpresin grevën.

    Edhe Nagavci është shumë falenderuese ndaj shkollave që po e thyejnë grevën, edhe pse të pakta në numër.

    “Më vjen mirë që fëmijët në shumë shkolla të Gjakovës, tashmë po fillojnë vitin e ri shkollor, po aq sa më vjen keq që shumë të tjerë në Kosovë i gjen mesi i shtatorit pa mundësinë për të qenë në shkollë me shokët e shoqet, me mësuesit e mësueset e tyre. I falënderoj mësimdhënësit e Gjakovës dhe të gjithë ata mësimdhënës kudo në Kosovë, që e kanë kuptuar drejt situatën, kërkesën tonë për fillimin e mësimit dhe veprimet serioze që ka ndërmarrë Qeveria e Kosovës për ta përmirësuar situatën financiare të të gjithë qytetarëve, përfshirë mësimdhënësit dhe familjet e tyre”, ka të shkruar ajo në një postim.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark