×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Dy javë nga barrikadat në veri, Qeveria iu lutet ndërkombëtarëve për heqjen e tyre

    Insajderi
    23 December 2022 - 10:00
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Barrikadat në rrugët në veri të Kosovës vazhdojnë për të dytën javë me radhë dhe nuk ka asnjë qartësi se si dhe kur do të mund të hiqen ato. Afër 100 pjesëtarë të Policisë së Kosovës kanë mbetur të bllokuar që në dy lokacione në veri të Mitrovicës nga vendosja e barrikadave.

    Me ushqim të konservuar e pa mundësi për t’u pastruar e ndërruara rrobat këta policë po qëndrojnë si heronj. Ndërkohë, KFOR-i po heziton të asistoj në ndërrimin e tyre, shkruan Gazeta Insajderi.

    Ndërsa, që nga 6 dhjetori, në katër komunat në veri të Kosovës – Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – janë shënuar disa incidente të armatosura.

    Sulme ka pasur edhe ndaj Policisë së Kosovës.

    Për t’u kujdesur për sigurinë e qytetarëve në atë pjesë të Kosovës, janë shtuar patrullime edhe nga ana e KFOR-it e EULEX-it.

    Xhelal Sveçla, ministri i Punëve të Brendshme, u paraqit mbrëmë nga Mitrovica në një konferencë për media, ku foli për barrikadat dhe çështje të tjera që lidhen me to.

    Ai tha se po presin KFOR-in që t’i largojë barrikadat.

    “Jemi në koordinim me partnerët ndërkombëtarë, dhe presim që së ma parë të veprojë nga KFOR-i. U bënë 13 ditë dhe situata vazhdon të jetë e njëjtë, apo të themi që është rënduar. Po presim që sa më shpejt barrikadat të largohen”.

    Transferimi i këtij të fundit në një qendër paraburgim është prioritet për autoritetet, tha Sveçla, duke zbuluar dhe se për këtë kanë kërkuar edhe ndihmë nga partnerët ndërkombëtarë.

    “Prandaj për ne mbetet prioritet transferimi i tij përmes bashkëpunimit me partnerët tanë”.

    Ndërsa mbetet të shihet, a do t’i pranojnë ndërkombëtarët lutjet e Qeverisë për heqjen e barrikadave dhe transferimin e Pantiqit, apo do të hapërojnë vet drejt zgjidhjes së situatës në veri.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se barrikadat në veri nuk mund të tolerohen edhe shumë gjatë. Por, Kurti ka shtuar se shqetësimi i tyre është “se heqja e këtyre barrikadave nuk mund të përjashtojë viktimat”, andaj ka shtuar ai, kjo është arsyeja pse po veprojnë me shumë kujdes.

    “Shqetësimi ynë [është] se heqja e këtyre barrikadave nuk mund të përjashtojë viktimat. Dhe kjo është arsyeja pse ne duam të jemi sa më të kujdesshëm për t’u siguruar që nuk do të ketë destabilizim dhe do të ketë paqe dhe siguri relative”, citohet të ketë thënë Kurti nga mediumi britanik “The Guardian”.

    Ndërkohë, barrikada në veri të Kosovës janë ngritur më 10 dhjetor, në shenjë pakënaqësie me arrestimin e ish-policit serb të Kosovës, Dejan Pantiq.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark