Dy kosovarë, Burim Haxhiolli dhe Valon Kyçyku, janë akuzuar nga Gjykata e Tiranës për mashtrim përmes skemave piramidale dhe pastrim të parave. Për të njëjtin rast, tashmë gjykata e ka shpallur të fajshëm një kroat, të cilin e ka dënuar me 10 vjet burgim.
Kroati Damir Miserda është shpallur i fajshëm nën akuzat se ka krijuar dy skema piramidale në Shqipëri, me të cilat ka përvetësuar në mënyrë të paligjshme së paku 530 mijë euro nga më shumë se 300 persona, shkruan mediumi nga Shqipëria, Shekulli.
Çështja është hetuar prej vitit 2014. Tre bashkëpunëtorët janë akuzuar për “mashtrim” më shumë se një herë dhe me pasoja të rënda, si edhe për “pastrim të produkteve të veprës penale”. Ata akuzohen se kanë bindur persona të shumtë për t’u anëtarësuar në shoqërinë “Eurolife”, e cila vepron në shërbim të shoqërisë “Gemak”, subjekte këto të regjistruara në Shkup, Maqedoni.
Në momentin e anëtarësimit, personat e dëmtuar kanë paguar secili shumën 2 290 euro, që shpërndahej te shtetasit Damir Miserda, Burim Hoxholli dhe Valon Kyçyku, të cilët dyshohet se në total kanë përvetësuar shumën 532 163 euro.
Sipas hetimeve të Prokurorisë, kjo shumë ka shkuar drejtpërdrejt për llogari të tre të akuzuarve, ndërkohë që një shumë tjetër parash është shpenzuar për sallat ku zhvilloheshin konferencat./Insajderi.com