Në kohën kur po bëhen rreth dy muaj e gjysmë pas vdekjes së Xheneta Gashit, e cila humbi jetën nga shembja e një shtëpie të vjetër e cila ishte në zonën e mbrojtur historike të qytetit të Prizrenit, Ministrisë së Kulturës i bie ndërmend të nënshkruajë memorandum bashkëpunimi me Rrjetin e Organizatave të Kulturës në Prizren, për menaxhimin e Qendrës Historike.
“Sot, në Prishtinë Rrjeti i Organizatave të Kulturës në Prizren dhe Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport nënshkruan memorandum bashkëpunimi për Hartimin e Planit të Menaxhimit të Qendrës Historike të Prizrenit”, thuhet në njoftimin e MKRS-së.
Sipas MKRS-së, Plani i Menaxhimit të Qendrës Historike në Prizren është një domosdoshmëri që del edhe nga Ligji për Qendrën Historike dhe është një dokument që e përcakton organizimin dhe menaxhimin e qendrës historike, pas një procesi që parasheh një sërë aktivitetesh prej analizës së gjendjes dhe hulumtimeve të ndryshme, deri në punëtori, konsultime publike dhe instrumenteve tjera që e cytin pjesëmarrjen e grupeve të ndryshme të interesit dhe qytetarëve në planifikimin e kësaj zone.
“Plani synon ta ofrojë një analizë të detajuar të gjendjes aktuale, që e përfshin shqyrtimin dhe konsolidimin e planeve ekzistuese relevante dhe njohurive ekzistente për Qendrën Historike, matjen e situatës socio-ekonomike dhe demografike, analizën e kornizës ligjore, skanimin e gjendjes fizike, si dhe hulumtimin e aspekteve tjera të rëndësisë, drejt zhvillimit të njësisë menaxhuese të zonës dhe hartimit të planit të veprimit që përfshin komponenta si konservimi, komunikimi vizuel, planet ekonomike dhe turistike, programe edukative dhe aspekte tjera strategjike që do të identifikohen përgjatë procesit”, njofton më tej komunikata.
Komuna e Prizrenit pati marrë vendim për shkarkimin e disa drejtorëve, ndër ta edhe ai i urbanizmit, Nijazi Kryeziu, i cili është pjesë e përgjimeve “Dosja e Shefave”, të cilat vazhdimisht po i publikon Gazeta Online Insajderi./Insajderi.com
Shembja e shtëpisë në Prizren: Vdes fëmija 3 vjeçar, nëna dhe tjetri fëmijë në gjendje të rëndë
Flet nëna që humbi vajzën – Familjarët kërkojnë drejtësi për Xhenetën
Pritet të shkarkohen disa drejtorë komunal në Prizren, përfshirë Nijazi Kryeziun