Policia ka arrestuar dy persona si të dyshuar në përfshirjen e vrasjes së sotme që ndodhi në Mitrovicë në rrugën “UÇK”.
“Një rast ‘vrasje e rëndë’ është raportuar sot rreth orës 09:45, ku fillimisht ishte raportuar për të shtëna dhe si pasojë e shkrepjes së armës së zjarrit, një person kishte mbetur pa shenja jete në vendin e ngjarjes, të ndodhur në rrugën e UÇK-së, në Mitrovicë. Njësitë policore me të arritur në vendin e ngjarjes kuptojnë se pa shenja jete kishte mbetur viktima V. S. 22 vjeçar”, thuhet në njoftimin e policisë.
Nga procedimi i vendit të ngjarjes nga ana e hetuesve policorë dhe krim teknikët, si prova materiale janë gjetur dy gëzhoja, një shufër metali, një shkop druri.
“Nga veprimet e deritanishme me autorizim të prokurorit janë arrestuar dy persona në cilësi të të dyshuarve, V. B. 17 vjeçar dhe H. V. 17 vjeçar, si dhe është konfiskuar një armë tytëgjatë e cila dyshohet se është përdorur në kryerje të veprës penale”, thuhet më tej në njoftim.
Policia thotë se veprimet hetimore janë duke vazhduar për të ndriçuar rrethanat e plota të veprës penale. Trupi i pajetë i viktimës dërgohet për obduksion mjeko-ligjor.
Gjatë ditës Gazeta Insjaderi ka raportuar vazhdimisht për rastin./Insajderi.com