Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, kryeministri Isa Mustafa në fjalimin e tij në Kuvendin e Punës së partisë ka përmendur dy prioritetet e qeverisjes së tij.
Anëtarësimi në organizatën botërore për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore UNESCO dhe formimi i ushtrisë së Kosovës, janë përmendur si prioritete në fjalimin e Mustafës para delegatëve të LDK-së.
Por përderisa për krijimin e ushtrisë, Mustafa e ka përmendur faktin se duhet bindur një pjesë e komunitetit që të votojnë transformimin e FSK-së në FAK, për të dy tjerat nuk ka përmendur rolin e Serbisë, nëpërmjet Listës Serbe, partisë që përfaqëson interesat e serbëve në Kuvendin e Kosovës.
Mustafa tha se synimet janë që gjatë këtij viti Kosova të anëtarësohet në Interpol dhe të aplikojë në UNESCO, dhe kjo është një rrugë që duhet të bëhet në bashkëpunim me pozitën e opozitën, por në fakt, anëtarësimi në UNESCO varet direkt edhe nga lobimi i Serbisë.
Serbia, po ashtu edhe Lista Serbe, pretendojnë se trashëgimia kulturore e Kosovës nuk duhet të jetë nën mbrojtje të Kosovës por të Serbisë.
Këtë vit, Kosova dështoi që për tri vota të anëtarësohet në UNESCO. Gjithashtu lobim kundër Kosovës në UNESCO ka bërë edhe Kisha Ortodokse në Kosovë që refuzon ta pranojë shtetësinë e Kosovës./Insajderi.com