×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Analiza

    Dy pushtetarët e PSD-së së Shpend Ahmetit – Manipulimet, përplasjet e dosjet penale të ish- shefave të Trafikut Urban

    Insajderi
    15 March 2022 - 15:43
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Mashtrimi u doli në shesh. Dje, Policia e Kosovës ka ndaluar dy ish zyrtarë të “Trafikut Urban” të cilët gjatë kohës sa ishin në këtë ndërmarrje publike kanë zhvatur me buxhetin e ndërmarrjes. Ata janë Ruhan Beha ish-kryesuesi i bordit të drejtorëve në “Trafiku Urban” dhe Lulëzim Rexhepaj, ish-kryeshefi ekzekutiv i po të njëjtës ndërmarrje.

    Lulëzim Rexhepaj e Ruhan Beha janë emëruar në këto pozita në kohën kur ndërmarrja publike “Trafiku Urban” kontrollohej nga Partia Socialdemokrate e ish-kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti.

    Dyshja, dikur ishin miq dhe bashkëpunonin mes vete, por konflikti mes tyre nisi kur ndaj Lulëzim Rexhepaj po ushtrohej presion nga Ruhan Beka për punësimin e gruas së tij në ndërmarrjen “Trafiku Urban”. Pas kësaj, të dytë u përballën edhe me gjykatat, shkruan Gazeta Insajderi

    Si u zbulua mashtrimi i tyre për shitjen dhe pastaj blerjen e një veture me çmim dyfish më të lartë:

    Insajderi mëson se dyshja kanë arritur që përmes marrëveshjeve dhe koordinimeve të tyre me ish sekretarin e ndërmarrjes, Florent Tahiri, në bashkëpunim me V.K menaxher i një auto-salloni, veturën që ka qenë në pronësi të Kryesuesit, ta shesin fillimisht në një auto-sallon dhe pastaj përmes procedurave tenderuese të kurdisura ta blejnë.

    Duke manipuluar, ata kanë blerë veturën me një çmim dyfishë më të lartë se sa çmimi i tregut. Një burim i ka thënë Insajderit se “Trafiku Urban” e ka blerë veturën 13 mijë euro por me çmim të tregut ajo veturë bën diku rreth 6 mijë euro.

    Krejt kjo ka ndodhur në kohën kur me Prishtinën ka qenë duke udhëhequr Shpend Ahmeti i cili ka qenë njëkohësisht kryetari i PSD-së, pjesë e së cilës ka qenë dikur edhe vëllai i Ruhan Behës, Bashkim Beha.

    Për këtë vepër, Policia e Kosovës i ka ndaluar për 48 orë duke i cilësuar si të dyshuar për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe përfshirje në konflikt interesi.

    Historia e punësimit të gruas së ish-kryesuesit të bordit, Ruhan Beha dhe përplasja e tij me Lulëzim Rexhepaj

    Beha e Rexhepaj, dy shefat e dikurshëm të kësaj ndërmarrje publike, të emëruar nga pushteti i PSD-së së Shpend Ahmetit, kishin raporte të mira mes vete deri në shtator të vitit 2019. Rexhapaj, atë muaj ishte hidhëruar me Behën. Mollë sherri mes tyre ishte bërë punësimi i gruas se Ruhan Behës, shefit të Rexhepajt.

    Në shtator të vitit 2019, përmes një kompromisi mes këtyre dyve, ishte nënshkruar kontrata për punë praktike të Lendita Behës, gruan e Ruhan Behës.

    Konflikti mes tyre nisi kur Ruhan Beha i kërkonte rritjen e pagës për gruan, shefit të tij, Lulëzim Rexhepaj. Gruaja e tij merrte pagë 400 si praktikante.

    Rexhepaj kishte pretenduar se ndaj tij ishte ushtruar presion i vazhdueshëm nga Ruhan Beha për rehatimin e gruas së tij. Madje, Pexhepaj iu ishte drejtuar edhe organeve të rendit për të denoncuar rastin.

    E kjo u bë shkas që Ish-kryesuesi, Ruhan Beha të përfundoj prapa grilave në janar të vitit 2020 pasi u denoncua në polici.

    Rexhepaj, kishte thënë se për presionin që i është bërë nga ish-kryesuesi ka lajmëruar me kohë edhe ish-kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.

    Dosja e Lulëzim Rexhepaj nëpër gjykata:

    Lulëzim Rexhepaj nuk është hera e parë që ai ishte gjykuar. Në vitin 2020, Lulëzim Rexhepi ishte shpallur fajtor nga Gjykata Themelore për veprën penale “Ngacmim”.

    Insajderi kishte raportuar se kryeshefi Ekzekutiv i “Trafikut Urban” të Prishtinës, Lulëzim Rexhepaj është shpallur fajtor nga Gjykata Themelore e Prishtinës, përkatësisht  Departamenti i Përgjithshëm, divizioni penal, për veprën penale “Ngacmim”, pasi që i njëjti kishte ngacmuar një punëtore të kësaj ndërmarrjeje publike.

    Gjithçka kishte filluar në qershor të vitit 2020 ku Rexhepaj fillimisht i kishte thënë punëtores në fjalë se nuk ishte e aftë për punë, ka pasur performancë të dobët, e madje kishte thënë se edhe fakultetin e kishte kryer me para.

    Rexhepaj ka shkuar edhe më larg duke e fyer rëndë punëtoren duke i thënë se ka qenë dashnorja e ish-drejtorit

    Lidhur  me këtë aktakuzë, Lulëzim Rexhepaj është shpallur fajtor dhe është gjobitur në vlerë prej 200 eurosh për ngacmim seksual ndaj punëtores.

     Lulzim Rexhepaj ishte shkarkuar nga posti i kryeshefit të ndërmarrjes publike lokale “Trafiku Urban”, në prill të vitit 2021./Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark