Beran Aliji, shqiptari nga Maqedonia e Veriut, ka terrorizuar së fundmi Vjenën e Austrisë, ndonëse s’ka arritur të realizojë me sukses operacionin terrorist të tij. Ai është kapur duke organizuar një sulm me bombë në koncertin e Taylor Swift. Para hiç më larg se katër vitesh, Kujtim Fejzullahu nga Çellopeku i Tetovës kishte realizuar një sulm terrorist ku kishte vrarë pesë persona dhe kishte plagosur 22 të tjerë.
Aliji dhe shoku i tij 17-vjeçar Luka K. me prejardhje nga Bosnja, të cilët po hetohen nga prokuroria publike e Wiener Neustadt si grup terrorist dhe pjesë të organizatës kriminale IS, janë në paraburgim për shkak të dyshimit se planifikonin të kryenin një vepër kriminale ndaj popullatës në Vjenë, raporton Insajderi.
Beran, i dyshuari kryesor, sipas autoriteteve të sigurisë, donte të shkaktonte gjakderdhje masive në koncertin e Taylor Swift.
Mediat austriake kanë publikuar detaje të frikshme për planifikimin e sulmit terrorist në koncertin e Taylor Swift. Beran Aliji kishtë bërë një bombë në shtëpinë e tij në Ternitz të Austrisë Jugore dhe sipas policisë, si pjesë e përgatitjeve, ai ka pajisur makinën e tij me drita blu të policisë për ta bërë më të lehtë hyrjen në zonën e stadiumit.
Rezultatet e para të hetimit të policies austriake kanë treguar se Aliji planifikoi të ngiste makinën e tij Volkswagen të zi në turmën e mijëra tifozëve të Taylor Swift, pastaj t’i sulmonte ata me hanxhar dhe në fund të shpërthente bombën.
Në shtëpinë e prindërve të të dyshuarit, përveç legjitimacionit të rremë të policisë dhe 21 mijë euro para të falsifikuara, në shtëpinë e prindërve të të dyshuarit janë gjetur hanxhar, thika dhe eksplozivë funksionalë, përfshirë edhe detonatorë.
Gjithsej 195,000 njerëz duhej të merrnin pjesë në tre koncertet e Taylor Swift në stadiumin Ernst Happel në Vjenë, si dhe 20,000 fansa të tjerë për të dëgjuar koncertet jashtë stadiumit. Por, koncertet e Taylor Swift në Vjenë u anuluan.
Para hiç më larg se katër vitesh, në Austri një shqiptar i radikalizuar, i identifikuar me emrin Kujtim Fejzullahu, sipas planit kishte arritur të realizonte një operacion terrorist. Përmes një sulmi me armë zjarri të llojit ‘kallashnikov’, ai kishte vrarë pesë civilë të pafajshëm dhe 22 të tjerë kishte plagosur.
Fejzullahu më pas ishte konfrontuar me autoritetet vijeneze, ku mbeti i vrarë bashkë me disa terroristë të tjerë. Kujtimi ishte 20 vjeç i lindur në Austri dhe me origjinë nga Maqedonia e Veriut.
Përgjatë sulmit Fejzullahu kishte vrarë një shqiptar nga Maqedonia e Veriut të identifikuar si Nexhip Vrenezi.
Insajderi përmes emisionit Indoks kishte raportuar ekskluzivisht edhe për lidhjen e Fejzullahut me hoxhallarë në Kosovë.
Kujtimi kishte lëvizur viteve të fundit në Kosovë dhe Maqedoni të Veriut dhe kishte pasur marrëdhënie të fuqishme me radikalistët në Bosnjë dhe Serbi.
Përmes një bisede të siguruar nga InDoks mes dy personave që kanë pasur lidhje me Kujtimin, mësohej se ky i fundit ka qenë grumbullues i mjeteve financiare tek qytetarët myslimanë në Austri për t’i ndihmuar aktivitetet radikale në Kosovë dhe Maqedoni të Veriut.
-“A po e sheh nuk po ndalen qafirat”.
+“Një vëlla në Austri sonte nuk e di çka u bë me të”.
-“Po i joni a”?
+“I Maqedonisë ai që i dërgojke paratë më ja dhënë hoxhës”, ishte biseda të cilën e kishte parë Indoks.
Shqiptarët e Kosovës dhe ata të Maqedonisë së Veriut kanë prirë në rajon për kah pjesëmarrja në luftëra të huaja, sidomos me prapavijë politike fetare. /Insajderi.org/