
Dy të akuzuarit për kanosje ndaj kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, janë deklaruar të pafajshëm gjatë seancës fillestare të mbajtur në Gjykatën Themelore në Prishtinë më 3 shtator.
I pranishëm në gjykatë ishte edhe Kurti, në cilësinë e të dëmtuarit, i cili tha se nuk paraqet kërkesë pasurore juridike, raporton Betimi për Drejtësi.
Faton Klinaku dhe Nuredin Selmani u deklaruan rreth fajësisë, pasi prokurori Bekim Kodraliu lexoi aktakuzën.
“Konsideroj se nuk ka vepër penale dhe nuk bëhet fjalë për kurrfarë kanosje dhe nuk e pranoj”, tha Klinaku.
Ndërkaq, i akuzuari tjetër, Nuredin Selmani po ashtu i deklarua i pafajshëm.
“Jo, nuk i pranoj” akuzat, tha ai.
Pas kësaj, gjykatësi Rrahman Beqiri njoftoi mbrojtësit e të akuzuarve se brenda 30 ditësh mund të paraqesin kundërshtim të provave.