
Policia e Kosovës ka konfirmuar se janë intervistuar dy të mitur për përdhosje të flamurit kombëtar shqiptar në Suharekë.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, tha se të miturit kanë pranuar veprimin dhe kanë shprehur pendesë për atë që kanë bërë. Ata janë liruar.
“Më 23.07.2025, Policia ka pranuar një informacion dhe një video-regjistrim që lidhen me një veprim të papërshtatshëm ndaj flamurit kombëtar, të kryer nga dy të mitur në fshatin Studençan, Suharekë. Pas reagimit të menjëhershëm, të miturit janë intervistuar në prani të prindërve dhe kanë pranuar veprimin, duke theksuar se nuk kanë pasur qëllim nënçmimi dhe janë penduar”, deklaroi Bytyqi.
Ai shtoi se, pas shqyrtimit të rastit, prokurori përgjegjës ka vlerësuar se nuk ka bazë për hetim penal, pasi veprimi është kryer pa vetëdije dhe pa qëllim nxitjeje të urrejtjes.
“Rasti është mbyllur me raport njoftues”, përfundoi Bytyqi.