Dy persona me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe të kërkuar nga drejtësia shqiptare janë ekstraduar pasditen e së mërkurës nga Gjermania në Shqipëri.
Një prej tyre është Fabio Ballabani alias Fabio Zyberaj, i cili është pjesë e grupit të Emiljano Shullazit.
Fabio Ballabani është shpallur në kërkim nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për një ngjarje të ndodhur në vitin 2019, kur bashkëshorti i gjyqtares Saida Dollanit, Kristaq Prifti, u kërcënua dhe dhunua brutalisht. Ballabani kishte marrë urdhër nga Emiljano Shullazi për të kërcënuar dhe rrahur Priftin.
Gjithashtu, nga Gjermania u ekstradua dhe shtetasi Eraldo Krasniqi pasi Gjykata e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, në maj 2024, ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest me burg,” për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Prodhimi dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municionit.”
Ky shtetas, në maj 2024, në Durrës, tek “Rrethrrotullimi i Plepave,” pas një konflikti për motive të dobëta, ka plagosur me armë zjarri shtetasin R. B.