Dy vëllezërit dhe nipi, pronar të disa bizneseve – Kush janë tre të dyshuarit Qupevaj që po hetohen për trafik ndërkombëtar të drogës? - Insajderi
×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Dy vëllezërit dhe nipi, pronar të disa bizneseve – Kush janë tre të dyshuarit Qupevaj që po hetohen për trafik ndërkombëtar të drogës?

    Insajderi
    30 September 2025 - 15:30
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Tre pjesëtarë të familjes Qupevaj nga Prishtina – babai, djali dhe vëllai – janë në mesin e shtatë të dyshuarve në një hetim të gjerë ndërkombëtar që përfshin trafik të narkotikëve, përmes platformës së koduar të komunikimit “Sky ECC”. Ky rrjet i sofistikuar është goditur nga Prokuroria Speciale e Kosovës në kuadër të operacionit “Qielli i Thyer”. Insajderi sjell ekskluzivisht dosjen e shtetit kundër tyre.

    Dy vëllezërit, Argjend dhe Arben Qupeja si dhe djali i Argjendit, Albin Qupeja iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh (secilit veç e veç) nën dyshimin se kanë kryer veprat penale “Krimi i organizuar” lidhur me veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve”, si dhe për “Shpëlarje të parave”.

    Përpos tyre kjo masë është caktuar edhe  ndaj anëtareve të tjerë të grupit: Astrit Kazmi, Fatmir Mujaj, Visar Muriqi dhe Ekrem Bajrami.

    Argjent Qupevaj, i cili në dokumente figuron si babai i Albin Qupevaj dhe vëllai i Arben Qupevaj, është pronar i plotë i kompanisë N.T.P “Alb-Trade”, e cila merret me ndërtimin e objekteve banesore dhe jo-banesore.

    Ndërkohë, vëllai i tij, Arben Qupevaj, drejton kompaninë “Euro Stone SH.P.K”, e specializuar në nxjerrjen e gurit dekorativ dhe ndërtim rrugësh, përfshirë autostrada. Kjo kompani, sipas të dhënave, ka marrë pjesë edhe në projekte të mëdha infrastrukturore.

    Albin Qupevaj, djali i Argjentit, është aksionar i vetëm në kompaninë “Eu Stone Group”, që operon në fushën e tregtisë me shumicë të metaleve, mineraleve dhe automjeteve.

    Të tre janë duke u hetuar në një rast penal të udhëhequr nga Prokuroria Special, që përfshin mbi 70 të dyshuar për përfshirje në rrjet ndërkombëtar kriminal që merrej me trafik të kokainës, heroinës, marihuanës dhe lëndëve të tjera narkotike.

    Hetimi ndërkombëtar, që përfshin edhe autoritete franceze dhe belge, ka siguruar komunikime të koduara dhe fotografi përmes platformës Sky ECC, në të cilat dyshohet se tre të afërmit Qupevaj kanë biseduar për sasi narkotikësh, pagesa, identitete të falsifikuara dhe metoda transporti.

    Detaje nga dosja e Prokurorisë

    Dosja e Prokurorisë, të cilën e posedon Gazeta Insajderi, zbulon metoda të sofistikuara kriminale: Narkotikët transportoheshin nga Amerika e Jugut, Irani dhe Turqia, dhe përpiqeshin të kamufloheshin në kontejnerë, kamionë dhe makina me bunkerë. Për të rritur peshën, droga përzihej me sodë bikarbonat dhe paketoheshin sërish për shpërndarje ndërkombëtare.

    Përmes rrugëve tokësore, narkotikët hynin në Kosovë dhe më pas dërgoheshin në Serbi, Bosnje e Hercegovinë, Kroaci, Gjermani, Zvicër dhe shtete të tjera të BE-së, ndërsa një pjesë e marihuanës përfundonte edhe në Turqi, sipas dosjes.

    Çka është platforma Sky ECC dhe për çfarë është përdorur?

    Sky ECC është një platformë e koduar e komunikimit, e cila fillimisht është krijuar për të ofruar siguri të lartë në komunikim, veçanërisht për njerëz të biznesit që kërkonin mbrojtje të privatësisë dhe të dhënave të ndjeshme.

    Por me kalimin e kohës, kjo platformë është shndërruar në një mjet kryesor për rrjete të krimit të organizuar në mbarë botën – sidomos për trafikantët e drogës, grupet që merren me pastrim parash, rrjete mafioze dhe organizata të tjera kriminale.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark