Shumëkush ka besuar se Albin Kurti nuk ka fije respekti për një ministre të PAN-it dhe për një biznesmene të PDK-së. Por, kjo bindje është krijuar gjatë kohës sa ai ishte në opozitë. Tashmë, Kurti ka ndryshuar.
Në vikendin e tensionuar të zgjedhjës dramatike të presidentes Vjosa Osmani, fokusi ishte te Albin Kurti. Te politikani që supozohet te jetë më i fuqishmi i dekadës së tretë të pasluftës. I popullarizuar dhe i ardhur në pushtet për faktin e të qenit kundërshtari më i madh i Hashim Thaçit, politikanit më të fuqishëm të dekadës së dytë të pasluftës së Kosovës.
Dilema e vikendit të kaluar dramatik ishte kjo: A do të jetë Kurti një Hashim Thaç i ri?
Në dy ditët dramatike, lëvizjet e tij ishin të njejta me ato të Thaçit. Të shtunën kreu vjedhjen e parë.
Mori Albena Reshitajn e AAK-së që ta votonte Osmanin për presidente.
Të dielën çuditi edhe vetë PDK-në, të cilën për dy dekada rresht e kishte akuzuar si parti kriminale që kryente vjedhje të orkestruara.
PDK-ja mbeti gojëhapur kur panë Kurtin duke hyrë në sallë të parlamentit bashkë me deputetën Adelina Grainca. Aty zbuluan se tashmë Kurti kishte kryer një vjedhje të rëndë pikërisht mbi partinë që ka imazhin e hajdutës më të madhe në Republikën e Kosovës.
Këto dy lëvizje të Kurtit ishin konform pjesës së parë të slloganit të tij zgjedhor, Krejt. Por, ishin në kundërshtim me pjesën e dytë të slloganit: Drejt.
AAK-ja dhe PDK-ja, dy partitë mbi kurrizin e të cilave është rritur Kurti duke i akuzuar për vjedhje, ende janë duke rënkuar. Për çdo ditë janë duke bërë me gisht nga Kurti. Duke e akuzuar për hajni.
Të dy partitë me të drejtë kërkojnë që Reshitaj e Grainca të kthejnë mandatet e vjedhura nga AAK e PDK. Ato janë bërë deputetete duke kërkuar besimin e qytetarëve në emër të AAK-së e Ramush Haradinajt, përkatësisht në emër të PDK-së dhe Hashim Thaçit e Kadri Veselit.
Kurti deri më tash nuk ka dhënë ndonjë koment mbi dy vjedhjet e kryera të shtunën e të dielen. Nuk ka komentuar ende as akuzat se ka negociuar me familjarin biznesmen të deputetes Grainca dhe se i ka premtuar atij leje ndërtimore e tenderë publik.
Megjithatë, të gjithë jemi të informuar saktë se çfarë mendon Kurti për deputetët që kalojnë nga një parti në tjetrin. I shehë si rrezik për demokracinë. Ishte brutal me akuza kur e njejta kishte ndodhur në partinë e tij. Kur i kishin ikur deputetët dhe kishin kaluar në PSD.
“Populli na dha 32 mandate për të vepruar sipas një plani të mirëpërcaktuar. Por dikush na i vodhi 12 mandate. Kjo na pengon pak në veprimin tonë, pasi kemi shumë më shumë votues që duhen përfaqësuar, por më pak deputetë që duhet t’i përfaqësojnë. Nga ana tjetër, ata që s’kanë votues thuajse fare kanë 11 deputetë. Ky është absurditet, i cili më shumë sesa që hendikepon Vetëvendosjen, hendikepon rëndë vetë demokracinë”, kishte pohuar Kurti në vitin 2018.
Në këtë kohë Kurti ishte opozitar. Shumëkush e kishte besuar këtë deklaratë të Kurtit si të mirëqenë. Nuk kishte mbetur kush pa e shpërndarë këtë citat të Kurtit si të vërtetën përfundimtare për transferet e deputetëve nga një parti në tjetrën. Në një farë forme ishte marrë vendimi publik dhe kishte pajtim kolektiv që transferi ishte një “absurditet që e hendikepon rëndë demokracinë”.
Por, a mërzitet tash Kurti që dy partitë opozitare AAK e PDK “kanë më shumë votues për të përfaqësuar e më pak deputet që duhet t’i përfaqësojnë”?
Një gjë është e sigurtë. Shumëkush ka besuar se Kurti nuk ka fije respekti për një ministre të PAN-it dhe për një biznesmene të PDK-së. Por, kjo bindje është krijuar gjatë kohës sa ai ishte në opozitë. Tashmë, Kurti ka ndryshuar. Si pushtetar ai ka më shumë respekt për një ish-ministre të PAN-it, Albena Reshitajn, si dhe biznesmenen e PDK-së, Adelina Graincën, se sa për aktivistët e partisë që u rrahën e u burgosën në protestat e VV-së të cilat shërbyen për rritjen e Kurtit si politikan. Të rrahurit e të burgosurit e protestave nuk kanë pozita të larta në VV, ndërsa Grainca tashmë është pjesë e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje. Shefe në grupin parlamentar e ka Mimoza Kusari-Lilën e cila ishte ministre e Hashim Thaçit, gjatë kohës së rrahjës e burgosjës së aktivistëve të Lëvizjës Vetëvendosje.