Informacione të reja kanë arritur në redaksinë e Gazetës Insajderi, lidhur me shtëpinë e të moshuarve “Orenda” në Pejë ku dhunë të rëndë përjetoi e moshuara që ishte e strehuar aty nga infermieret. Dyshohet se një zyrtare shtetëtore është e përfshirë në menaxhimin e shtëpisë “Orenda”.
Zyrtarja Vera Kolgjeraj, që punon si zyrtare e shërbimeve sociale dhe familjare në Qendrën për Punë Sociale në Pejë, punon edhe si menaxhere e qendrës “Orenda” dhe është personi kryesor pas pronarëve aty.
Burime të Gazetës Insajderi, kanë konfirmuar se kanë punuar me Kolgjerajn dhe se e njëjta është sjellur shumë keq me stafin brenda kësaj qendre.
“Vera Kolgjeraj, ka qenë edhe gjatë vitit 2021 edhe 2022 menaxhere. Ajo është marrë me shërbime dhe nevojat që i ka pas shpija, mungesat e mjeteve e këto”, tha ky burim. Kolgjeraj, sipas këtij burimi nuk ka qenë gjatë gjithë kohës në “Orenda”. “Nuk ka ardh në punë me orarë, herë ka ardh herë s`ka ardh. Ose shkojke 2 her ose 3 e tani krejt javën hiq”.
Më tej në rrëfimin e këtij burimi thuhet se në rastet kur ka qenë e përfshirë ajo vet, i ka fajësuar infermieret.
“Sjellje agresive ka pas, se çkado qe ka ndodh edhe nëse është përfshi vet i ka fajsu infermieret madje i ka qit prej punës. Nuk ka pas dikush raporte te mira me to”, tha ajo për Insajderin.
Zëdhënësi i policisë në Pejë, Fadil Gashi i kontaktuar nga Gazeta Insajderi, tha se nuk kanë informacione se Vera Kolgjeraj është e përfshirë në rast.
“Nuk kemi pranuar nje informacione të tilla, përpos asaj që dihet nga prokuroria se janë intervistuar disa persona. Nëse një informacion i tillë do të mbërrinte tek ne padyshim që do të publikohej për media”, tha Gashi.
Gazeta Insajderi, ka provuar të konfirmoj informacionet e publikuara rreth Kolgjerajt edhe nga prokuroria në Pejë. Zëdhënësi i prokurorisë, Shkodran Nikqi ka deklaruar se janë duke u intervistuar të gjithë personat që kanë lidhje me rastin por se nuk mund të jap më shumë detaje se kush janë këta persona.
Gazeta ka provuar të kontaktoj edhe me pronarin Anton Rasaj për rolin e Kolgjerajt tek “Orenda” por telefoni i tij ka qenë i mbyllur.
Edhe kryetari i komunës, Gazmend Muhaxheri nuk i është përgjigjur thirrjeve të redaksisë.
Vera punon si zyrtare e shërbimeve sociale dhe familjare në Qendrën për Punë Sociale në Pejë.