×
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Dyshime për skandale në Universitetin e Pejës – hetimet po i kryejnë Krimet e Rënda

    Insajderi
    01 March 2023 - 15:20
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Dyshime për diploma, nota, bursa e madje edhe pranim të një studenteje e bija e policit pejan, janë disa prej dyshimeve që janë denoncuar, në institucione të zbatimit të ligjit dhe të tjera, kundër drejtuesve të këtij institucioni. Një hetim tashmë ka nisur Departamenti i Krimeve të rënda në Prokurorinë Themelore në këtë qytet.

    Gazeta Insajderi

    Më 2 shkurt të këtij viti vet Ministrja e Arsimit, Arbëria Nagavci kishte marrë një vendim që lidhet me punën e Universitetit publik të Pejës, “Haxhi Zeka”. E nënshkroi vendimin për futjen për hapjen e sistemit për tu regjistruar disa muaj me vonesë në këtë universitet studentja M.Sh, e bija e hetuesit policor pejan, S.Sh.

    Sinjalizues të Insajderit dërguan në gazetë këtë vendim, derisa në një përgjigje Rektorit aktual i “Haxhi Zekës”, konfirmon se ky është, mesa ai është në dijeni, rasti i vetëm i hapjes së sistemit pas afatit për një student. Thotë që nuk e ka ditur as që është vajza e hetuesit.

    “Nën përgjegjësi morale e penale, pa e ditur se vajza e kujt është, dhe duke qenë në dijen së ky  ishte rasti i vetëm që ka ndodhur lidhur me vonesat në futjen e studentëve në sistemin SMIAL të MASHT – it, me datën 26.10.2023, zyrtarisht ju kam drejtuar znj. Arbëria Nagavcit – Ministre në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit që t’i mundësohet znj. M. regjistrimi me vonës në sistemin SMIAL dhe atë në tërësi në përputhje më dispozitat e Udhëzimit Administrativ nr. 13/2018. Me datën 02.02.2023 me vendimi nr. 0 1 B / 16 është lejuar që znj. M. Sh. të regjistrohet në sistemin SMIAL. Sipas informatave që kamë marrë gjatë tërë kohës deri sa ka ardhur vendimi Melisa i ka vijuar me rregull të gjithë mësimet dhe detyrime në fakultet meqë ka pritur edhe ajo vendimin e MASHT”, thuhet në një përgjigje të Armand Krasniqit, Rektor në Universitetin publik të Pejës.

    I njëjti ka bërë ka thënë po ashtu se nuk e di nëse është nën hetime, por që në universitetin ku ai është shefi janë duke u zhvilluar hetime, për Insajderin e ka konfirmuar Prokuroria Themelore e Pejës.

    Ky rast me t’u pranuar në Prokurorinë Themelore të Pejës, menjëherë i është ndarë prokurorit të shtetit për trajtim të mëtutjeshëm në departamentin e krimeve të rënda”, thuhet në përgjigjen e Shkodran Nikçit për Insajderin.

    Nikçi i ka thënë Gazetës Insajderit se “Prokurori i shtetit ka lëshuar autorizime për Policinë e Kosovës për ndërmarrjen e veprimeve të caktuara hetimore”, por sipas tij, për shkak se janë në fazën fillestare të hetimit, për këtë rast atyre u duhet të jenë të rezervuar në ndarjen e informacioneve, dhe rrjedhimisht nuk ka treguar se kush është i dyshuar në këtë hetim dhe as për çfarë rasti.

    Insajderi merr vesh se deri tash në institucione të zbatimit të ligjit dhe të tjera, janë bërë një seri denoncimesh kundër menaxhmentit të Universitetit publik të Pejës, dhe një prej tyre është edhe për nota të dyshimta të dhëna një familjarit të njërit nga drejtuesit kryesor të këtij universitetit.

    Sinjalizuesit i kanë thënë gazetës po ashtu se edhe futja në sistem pas afatit e të bijës së hetuesit pejan, me miratimin e Ministres Nagavci, lidhet po me hetimet që janë duke u kryer në këtë universitet. Një gjë të tillë e mohojnë në Prokurori.

    Edhe në Ministrinë e Arsimit kanë mohuar se kanë ndonjë dijeni për hetime.

    “Nuk kemi asnjë informatë për ndonjë hetim ndaj Rektorit, prorektorit apo kujtdo tjetër në Universitetin “Haxhi Zeka”, në Pejë. Ministrja Nagavci nuk ka kontaktuar e as zhvilluar asnjë bisedë me prokurorin dhe askënd tjetër nga Prokuroria. Nxjerrja e vendimit për regjistrim në SMIAL është bërë në bazë të UA Nr.13/2018-SMIAL, pas kërkesës së Departamentit përkatës në MASHTI, i cili ka dërguar edhe kërkesën e Universitetit të Pejës”, i ka thënë Insajderit Edona Kutleshi-Maliqaj, këshilltare për media në Ministrinë e Arsimit.

    Diploma të dyshimta e punësime familjarësh-për çka ishte denoncuar Universiteti i Pejës?

    Insajderi mbi një vit më parë ka raportuar për një seri denoncimesh e shkresash që madje kishin përfunduar edhe në duar të krerëve të lartë të shteti e që ngisnin dyshime serioze për Universitetin publik të Pejës.

    Presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti e ministrja e Arsimit Arbërie Nagavci, patën pranuar një letër- denoncim me një numër ankesash që vijnë nga profesor e studentë të këtij institucioni publik, ku mes tjerash flitej për falsifikim diplomash e punësime familjare, e ku ishte përfshirë edhe kallëzim penal ndaj ish-rektorit Fadil Millaku.

    Përveç studentëve, profesori universitar Kolë Krasniqi u është drejtuar edhe institucioneve më të larta të vendit me një denoncim duke renditur shqetësimet që sipas tij po e njollosin Universitetin publik të Pejës.

    Në një prononcim për Gazetën Insjaderi, Krasniqi pati thënë se shkresat e tij, nuk janë proceduar për shkak të ndikimeve të grupeve të fuqishme që kanë ndikim në sistemin e drejtësisë e arsimit.

    “Disa shkresa i kam dërguar, mirëpo për shkak të ndikimeve klanore dhe kriminale nuk janë proceduar dhe kështu në interes të grupeve dhe individëve te paditur dhe te paarsimuar është lejuar rrënimi i vlerave universitare prapa këtyre individëve qëndrojnë klane dhe grupe te fuqishme qe kane ndikim ne sistemin e drejtësisë dhe te arsimit” pati thënë ai.

    Në shkresën që Krasniqi ka shkruar ka hidheshin dyshime edhe për disa diploma të falsifikuara.

    “Rektor Millaku, për mësimdhënës te lendeve penale, në vend të Fatos Hazirit, me studime adekuate master dhe të doktoratës Universitetin e Prishtinës, njohës i dy gjuhëve te huaja, me përvojë të lartë akademike, me punime profesionale dhe te botuara ne revistat e indeksuara sipas udhëzimit administrativ të MASHT-it, me monografi te botuar sipas rregullores se UHZ-së dhe me raport pozitiv te komisionit vlerësues dhe te publikuar sipas ligjit ne uebfaqe te UHZ-së, e kishte punësuar Orhan Çekun, me studime master ne drejtimin financiar dhe me një doktoratë krejtësisht joadekuate te përfunduar ne Universitetin për Librari, Biznes dhe Teknologji Informative – që nuk ka asnjë barasvlerë me studimet juridike te asnjë vendi të Bashkimit Evropian e aq më tepër me studimet tona juridike – penale”, thuhet në shkresë.

    Ai ngritë dyshime që diplomat janë siguruar në këmbim të shumave nga 10 mijë deri në 15 mijë euro.

    “Dyshimi ne arsimimin e mirëfilltë të këtij kandidati është bazuar edhe në faktin përgjithësisht të njohur se sekserët e caktuar nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, qe disa vite me radhë janë duke ofruar diploma te doktoratës nga Universitetin për Librari, Biznes dhe Teknologji Informative në Bullgari, me çmim nga 10.000 deri ne 15.000 Euro, pa pasur nevojë kandidati qe te qëndroj me qellim studimi ne Bullgari apo te njeh gjuhen bullgare, ruse ose atë angleze”, thoshte ai.

    Diploma nga Ukraina e Bullgaria

    Sipas raportit të profesorit Krasniqi, dilemat janë marrë nga Ukraina e Bullgaria.

    “Master ne drejtimin financiar, “Dr. i Filozofisë” në një institut te panjohur në Ukrainë dhe “Dr. i Sigurisë Kombëtare” në Universitetin për Librari, Biznes dhe Teknologji Informative në Bullgari – pa qëndruar fare ne këto dy shtete me qellim studimi emërohet profesor i shkencave juridike – penale ne Fakultetin Juridik të UHZ në Pejë”.

    “Shpërndarja masive e diplomave joadekuate nga Ukraina dhe Bullgaria ne Kosovë përkatësisht dhënia e titujve akademik pa arsimimin përkatës të personave te përzgjedhur kryesisht me influence politike (qe mund te ndikojnë edhe ne nostrifikimin e tyre), padyshim se ka për qellim komprometimin dhe shkatërrimin e vlerave dhe të sistemit tonë akademik”, pati shkruar profesori Krasniqi.

    Po ashtu në raport shkruan edhe për punësimin e Petrit Nimanit për të cilin po ashtu pretendohet se është në kundërshtim me ligjin.

    “Në vitin 2020, Rektor Millaku ne bashkëveprim ne klanet e caktuara mafioze dhe politike dhe në kundërshtim flagrant me nenin 173 pika 1.1 te Statutit te Universitetit dhe nenin 7, pika 1.1 te Rregullores për procedurat përzgjedhëse te personelit akademik, e ka punësuar Petrit Nimanin, si mësimdhënës te lendeve administrative. Madje ky punësim është bërë edhe përkundër raportit te publikuar negativ nga komisioni vlerësues dhe argumentimit të faktit se i njëjti disponon me një doktoratë joadekuate dhe krejtësisht të pa barasvlershme me studimet tona juridike.Kandidati e kishte sjellë një dëshmi se ka doktoruar në “UniversityofLibraryStudiesandInformation Technologies” (Universiteti për studime bibliotekare dhe teknologji informative), i cili “universitet”, në asnjë vend të Bashkimin Evropian nuk njihet si i tillë por si një shkollë e lartë, e cila disponon me vetëm dy fakultete, dhe atë “FacultyofLibraryStudiesandCulturalHeritage” dhe “FacultyofInformationSciences””, thuhet në raport.

    Avancimi i dyshimtë i ish-klientit të Rektorit

    Këtë vit është raportuar se pa konkurs fare, ashtu siç parashihet me ligj, Ibrahim Krasniqi është avancuar nga profesor asistent në profesor të asociuar, ndonëse ndaj tij kohë më parë ishte shqiptuar një masë nga kodi i etikës.

    Avancimi i Krasniqit në këtë pozitë, u bë në kohën kur rektor i Universitetit Haxhi Zeka në Pejë është Armand Krasniqi, i cili kohë më parë kishte qenë avokat mbrojtës i profesor Krasniqit në kohën kur ky zhvillonte procedura Gjyqësore ndaj Universitetit Publik “Haxhi Zeka” në Pejë.

    Në arsyetimin e vendimit për avancim të cilin e kishte cituar Front Online e që mban datën 23.12.2022 thuhet se Ibrahim Krasniqi kishte aplikuar në konkursin 2956/19 për tu avancuar në thirrjen akademike profesor i asociuar. Më tutje thuhet se Komisioni  kishte propozuar avancimin e Krasniqit, por me pastaj Këshilli i Fakultetit të Biznesit pasi kanë shqyrtuar raportin e komisionit nuk janë pajtuar më të me arsyetimin se ndaj Krasniqit ishte një masë e shqiptuar në bazë të kodit të etikës.

    Po ashtu, më tutje në vendim thuhet se Krasniqi pas shterjes së mjeteve të brendshme juridike iu është drejtuar me padi Gjykatës dhe pas shumë seancave të zhvilluara është arritur një ujdi Gjyqësore në mes të përfaqësuesit të autorizuar të Universitetit.

    Aktualisht Universiteti “Haxhi Zeka” për rektor e ka Prof. Dr. Armand Krasniqin, derisa ka tre prorektorë Ass. Dr. Alma Shehu, për mësimdhënie, çështje studentore dhe kërkime shkencore Prof. Dr. Edmond Beqiri, që është prorektor për bashkëpunim ndërkombëtar dhe ngritje të cilësisë Ass. Dr. Vjosa Hajdari, prorektor për Buxhet, Financa dhe Infrastrukturë.

    Universiteti “Haxhi Zeka” është pasardhës i Fakultetit të Biznesit dhe Shkencave të Aplikuara të Universitetit të Prishtinës në Pejë që është themeluar në vitin 1960.

    “Qeveria e Kosovës, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës (MASHTK), Komuna e Pejës dhe Stafi i Fakultetit të mëparshëm të Biznesit dhe Shkencave të Aplikuara të Universitetit të Prishtinës, të gjithë kanë bashkëpunuar ngushtë për themelimin e Universitetit të ri Publik “Haxhi Zeka” në Pejë. Më 11 nëntor 2012, Kuvendi i Kosovës në seancën e tij të rregullt ka ratifikuar themelimin e Universiteti Publik “Haxhi Zeka” Pejë” thuhet në faqen e këtij universiteti ku bëhet me dije se gjenerata e parë e studentëve është regjistruar në tetor 2012.

    Në këtë faqe ata po ashtu anë publikuar një historik të figurës së Haxhi Zekës, emrin e të cilit e mban ky universitet. Referencë për këtë historik kanë faqen që nuk përdoret si burim shkencor: Wikipedia.

    /GazetaInsajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark