×
  • Lajme
  • Insajderi / Ballina 5

    Dyshime se e financoi VV-në, akuza për uzurpim: Qeveria Kurti ia jep 25 hektarë “Kosmonte Foods”-it për 99 vjet

    Insajderi
    14 January 2023 - 12:34
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Që në mëngjesin e së shtunës, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë publikoi një postim në Facebook. Lajmi qe se ministrja Rozeta Hajdari e ka nënshkruar me “Kosmonte Foods”, kompani e shpallur nga Qeveria Kurti si investitor strategjik, marrëveshjen për realizimin e një projekti. Në fakt, sot u përmbyll një nismë e Qeverisë Kurti, që u kritikua shumë, e cila ia jep 25 hektarë tokë kompanisë private, në emër të investimeve strategjike, ku pritet të punësohen 300 persona.

    Në postimin e ministrisë thuhet se, sipas marrëveshjes, aty do të jetësohen disa projekte investuese.

    “Nga ky projekt strategjik parashihet të hapen së paku edhe 300 vende të reja pune. Objekt i kësaj marrëveshjeje është dhënia në shfrytëzim e pronës për 99 vite në zonën kadastrale Harilaq, Komuna e Fushë Kosovës, e cila do të shfrytëzohet për investime strategjike në asete fizike për grumbullimin, trajtimin, ruajtjen e pemëve dhe perimeve, përpunimin e tyre dhe tregtimin e produkteve bujqësore, si dhe përpunimin e mishit të shpezëve” – theksohet aty.

    Në vitin 2021, Qeveria Kurti kishte nxjerrë vendim për shpalljen e “Kosmonte Foods”-it si investitor strategjik.

    “Për zhvillimin ekonomik të vendit dhe eliminimin e barrierave tregtare, shfuqizuam rregulloret dhe aktet e trashëguara nga ish-Jugosllavia, i dhamë subjektit “Kosmonte Foods” shpk statusin e investitorit strategjik për projektin investiv në vlerë 11 milionë euro” – shkruante Kurti më 22 shtator 2021. Vendimi pastaj u votua edhe në Kuvendin e Kosovës, ku shumicën e ka LVV-ja.

    Akuza, takime, vota, toka…

    Në fakt, çështja e 25 hektarëve tokë për “Kosmonte Foods”-in ishte bërë temë edhe më parë. Ishte gazeta Nacionale që raportonte për lidhjet e afërta të kësaj kompanie me pushtetin e Albin Kurtit, kryeministër i Kosovës.

    “Historiku i lidhjeve të kësaj kompanie me Vetëvendosjen daton qyshkur kjo e fundit ishte në opozitë – madje raportohej se “Kosmonte Food” ishte përkrahëse financiare e fushatës zgjedhore të Vetëvendosjes” – shkruante Nacionale muaj më parë.

    Edhe mënyra se si votuan deputetët për t’ia dhënë titullin e investitorit strategjik, një rekomandim i Komisionit Ndërministror të Qeverisë Kurti, ishte interesante.

    Në votimin në Kuvend, u pa qartazi se rekomandimit të këtij komisioni iu afruan deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje. Nga 67 votat në favor të propozimit, shumica ishin vota të deputetëve nga radhët e Vetëvendosjes.

    Partitë opozitare kishin ngritur dilema për marrëdhënien e dyshimtë të LVV-së, partia aktualisht më e madhe në Kosovë, dhe kompanisë “Kosmonte Foods”.

    Ferat Shala, deputet i PDK-së, kishte deklaruar se procesi për fitimin e statusit “investitor strategjik” të “Kosmonte Foods”-it lidhej me financimin që kjo kompani ia kishte bërë LVV-së.

    “Nga tetë anëtarë të Grupit operacional, vetëm katër prej tyre e kanë nënshkruar lëndën në fjalë. Si mund ta procesojë qeveria një lëndë të tillë, që ka mangësi të shumta juridike? Investitori është në kontest gjyqësor. Kjo lëndë për mua më shumë është për prokurori. Kjo lëndë në fjalë duhet të kthehet në qeveri për kompletim, mos me vazhduar kështu. Kjo kompani është financues i VV-së” – tha ai.

    Sipas fjalës së deputetit Shala, prona publike e Agjencisë së Pyejeve ishte uzurpuar nga kompania “Kosmonte Foods”.

    Akuzave të Shalës i ishte përgjigjur vetë ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, duke i mohuar lidhjet e kompanisë me LVV-në.

    “Kompania nuk ka asnjë rast të hapur në Gjykatë dhe mundet me qenë financuese e Nismës”- pati thënë Hajdari.

    Ndaj këtij pretendimi kishte reaguar Armend Muja, deputet i VV-së, duke ofruar një këshillë e duke i dalë në mbrojtje kompanisë “Kosmonte Foods”.

    “Ju kisha lutur mos iu gjuani njerëzve në qafë, meqë ka edhe media këtu. Ju kisha lutur mos me quajtur këtë kompani zaptues” – deklaronte Muja në Komisionin për Ekonomi.

    Ndryshe, Kurti, sa ishte kryeministër në vitin 2020, bashkë me ministren Rozeta Hajdari e kishte vizituar objektin e kompanisë “Kosmonte Foods”, ku ishte takuar me pronarin e kompanisë, Lulzim Begaj.

    “Ballafaqimi me pandeminë, si për shumë mangësi të tjera, na ka bërë ta kuptojmë mungesën, nevojën dhe rëndësinë e prodhimit vendor. Prodhuesi vendor është shtyllë e rëndësishme ekonomike. Shteti krijohet me prodhime vendore. Si qeveri prioritet i yni është përkrahja për këto ndërmarrje” – deklaronte Kurti.

    Nacionale kishte raportuar edhe për një dyshim tjetër që e përfshinte kompaninë “Kosmonte Foods”.

    “Kompania që dyshohet se financoi Lëvizjen Vetëvendosje që tash udhëheq me Qeverinë e Kosovës, dhe e cila përfitoi 25 hektarë tokë, tash po akuzohet për abuzim me çmime vendore. Akuzat i vijnë nga biznese vendore, të cilat thonë se kompania në fjalë vendosi çmime grabitqare ndaj tyre dhe qytetarëve. Kompania është deklaruar për shqetësimet e ngritura për shtrenjtimin artificial të çmimeve, duke i mohuar akuzat” – raportoi Nacionale 5 muaj më parë.

    Nacionale Facebook

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark