Komuna e Ferizajt ka anuluar tenderin prej 390 mijë eurosh për organizimin e festivalit, “Në Vendlindje Festojmë” . Për këtë tender edhe Prokuroria Themelore e Ferizajt ka nisur hetimet.
Në njoftimin zyrës së prokurimit të Komunës së Ferizajt thuhet se tenderi është anuluar në mungesë të ofertës së përgjegjshme.
AMC Corporation nga Prishtina ishte ofertuesi i vetëm për organizimin e këtij festivali me ofertën prej 291 mijë eurove.
Ky tender i Komunës së Ferizajt, kishte ngritur dyshime për kurdisje nga opozita atje.
Flamur Istrefi shef i grupit të kuvendarëve nga radhët e LDK-së, kishte thënë se Komuna në mënyrë të përshpejtuar ka hapur njoftim për kontratë në vlerë 390 mijë euro.
Sipas tij në ditën që ishte publikuar në në faqen e Prokurimit të Komunës ishte afati i fundit për aplikim.
“Ky tender me titull: organizimi i festivalit Ne vendlindje festojmë, sot është publikuar në faqen e Prokurimit të Komunës e çuditërisht sot është afati i fundit për aplikim. Pra, rreth 400 mijë euro që sot po pritet të jepen, të cilat nuk janë planifikuar në plan të prokurimit, një çmim shumë i lartë i cili nuk e arsyeton asnjë lloj Festivali. Mënyra se si po jepet ky tender, ngrit dyshime se edhe kësaj radhe po gatuhet një tender për njerëzit e afërt të pushtetit”, kishte shkruar para disa ditësh Istrefi.
Ndërsa, Komuna e Ferizajt përmes një reagimi në Facebook i kishte quajtur ‘Të mjerë’, e kishte kërkuar të mos shpifin e propagandojnë.