
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka konfirmuar për gazetën Insajderi se ka autorizuar policinë për mbledhjen e provave lidhur me dyshimet për manipulim të votave në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Këtë e ka konfirmuar për Insajderin zëdhënësja e Prokurorisë, Kaltrina Shala.
“Lidhur me pyetjen tuaj, ju informojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar policinë e Kosovës për mbledhjen dhe grumbullimin e informacioneve të duhura. Për më shumë informacione, nuk mund të ofrojmë.”, tha ajo.
Ditë më parë, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka refuzuar katër ankesa të paraqitura nga subjekte politike lidhur me rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, njoftoi të mërkurën.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kishte publikuar rezultatin përfundimtar më 15 mars, duke u dhënë subjekteve politike mundësinë të ankoheshin brenda 48 orëve nëse besonin se ishin shkelur të drejtat e tyre.
Lëvizja Vetëvendosje, fituese e zgjedhjeve, ka dorëzuar dy ankesa, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës dhe koalicioni mes Partisë Demokratike të Ashkalianëve të Kosovës dhe Lëvizjes për Bashkëveprim (PDAK-LPB) nga një ankesa secili.
Ankesat e LVV-së përfshinin kërkesa për anulimin e rezultateve të votimit me postë për Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe rinumërimin e votave në disa qendra të votimit në Skenderaj, për shkak të dyshimeve për manipulime me vota.
PZAP e refuzoi këtë kërkesë, duke vlerësuar se nuk kishte prova të mjaftueshme për t’i mbështetur.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka mirëpritur vendimin e PZAP-it, duke e cilësuar si një fitore kundër përpjekjeve të LVV-së për të manipuluar dhe delegjitimuar procesin zgjedhor.
LDK ka theksuar se nuk do të tolerojë shpifjet dhe manipulimet që mund të përmbysin vullnetin e qytetarëve.
Përveç ankesës së LVV-së, PDK ka kërkuar rishikimin e vendimit për shqiptimin e një gjobe prej 4,000 eurosh, ndërsa PDAK-LPB ka kërkuar anulimin e 211 votave të Partisë së Ashkalianëve për Integrim (PAI) dhe rinumërimin e votave të diasporës.
Sipas KQZ-së, LVV ka fituar mbi 390,000 vota, ose 42.30%, duke siguruar 48 ulëse në Kuvendin e Kosovës.
Pas saj renditet PDK me 20.95%, LDK me 18.27%, ndërsa koalicioni AAK-Nisma ka fituar 7.06% të votave. Lista Serbe ka siguruar 4.26% të votave, duke marrë 9 ulëse në Kuvend.
Në këtë proces zgjedhor, mbi 2 milionë shtetas të Kosovës kishin të drejtë vote, me një pjesëmarrje prej 46.54%.
/Insajderi