×
  • Lajme
  • Lajme

    Dyshimet për mënyrën e votimit si presidente, deputeti i PDK’së kërkon dorëheqjen e Vjosa Osmanit

    Insajderi
    22 October 2024 - 19:45
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, deklaroi sot se presidentja Vjosa Osmani duhet të dorëhiqet nga detyra e saj për shkak të manipulimit të votës gjatë zgjedhjes së saj si presidente.

    Dy deputetët e grupit parlamentar të Listës Serbe, Adem Hodza, nga komuniteti goran, dhe Fadil Gashi nga komuniteti rom, e kanë pranuar se iu është kërkuar vota për zgjedhjen e Vjosa Osmanit presidente.

    Berisha ka rikujtuar rastin e përzgjedhjes së Behgjet Pacollit si president, duke thënë se për rastin e tij ishin aplikuar kritere të rrepta për të garantuar legjitimitetin e procesit.

    “Që nga momentet e para kur ndodhi ky skandal, unë si deputet kam ngritur zërin dhe e kam kritikuar fuqishëm këtë manipulim para kamerave të Kuvendit. Megjithatë, pavarësisht shqetësimeve të ngritura, Gjykata Kushtetuese në atë kohë nuk pa asnjë shkelje, një qëndrim që sot duket edhe më problematik për shkak të dëshmive të reja që kanë dalë në dritë” shtoi Berisha.

    Ky është postimi i plotë i tij:

    Presidentja duhet të largohet për shkak të manipulimit të votës gjatë zgjedhjes së saj!

    Presidentja aktuale duhet të largohet nga detyra për shkak të procesit të kontaminuar dhe të pandershëm që çoi në zgjedhjen e saj. Votimi për presidenten Vjosa Osmani është manipuluar përmes kontrabandimit të votës, duke shkelur transparencën dhe duke përdorur metoda që cenojnë integritetin e institucioneve shtetërore. Një akt i tillë është i papranueshëm në një demokraci që synon të mbajë standarde të larta të drejtësisë dhe etikës politike.

    Një rast i ngjashëm ka ndodhur më parë me ish-presidentin Behgjet Pacolli, i cili u detyrua të largohej nga posti për shkak të parregullsive gjatë procesit të zgjedhjes së tij. Në atë kohë, u aplikuan kritere të rrepta për të garantuar legjitimitetin e procesit, duke dëshmuar se normat dhe rregullat e demokracisë janë të patjetërsueshme. Nuk ka asnjë arsye pse këto kritere të mos vlejnë edhe në rastin e presidentes aktuale.

    Dëshmitë e fundit nga dy deputetët e Listës Serbe, të cilët janë deklaruar se ishin nën presionin e komanduar të Millan Radojçiq, vetëm sa thellojnë dyshimet për manipulimin e procesit të votimit. Ata kanë dëshmuar se janë bindur për të votuar në favor të presidentes Osmani nga presione të politikës së jashtme serbe, duke u larguar kështu nga çdo standard i një vullneti të lirë dhe demokratik. Kjo provë e re vërteton se procesi nuk ishte legjitim dhe është e nevojshme të ketë një hetim të thelluar parlamentar mbi këtë çështje.

    Që nga momentet e para kur ndodhi ky skandal, unë si deputet kam ngritur zërin dhe e kam kritikuar fuqishëm këtë manipulim para kamerave të Kuvendit. Megjithatë, pavarësisht shqetësimeve të ngritura, Gjykata Kushtetuese në atë kohë nuk pa asnjë shkelje, një qëndrim që sot duket edhe më problematik për shkak të dëshmive të reja që kanë dalë në dritë.

    Nëse dëshmitë e dy deputetëve të Listës Serbe tregojnë qartë se zgjedhja e presidentes Osmani është bërë përmes kontrabandimit të votës, atëherë nuk ka më dilema se duhet të ndërmerren veprime kushtetuese të menjëhershme. Po ashtu, një hetim parlamentar i plotë është i domosdoshëm për të rikthyer besimin e qytetarëve në proceset demokratike dhe në funksionimin e drejtë të institucioneve.

    Duke marrë parasysh këto fakte, është e qartë se kryetari i Kuvendit duhet të ushtrojë detyrën e presidentit deri në zgjedhjen e një figure të re që plotëson standardet e nevojshme për këtë post të lartë shtetëror. Populli dhe institucionet tona meritojnë një proces të drejtë, të pastër dhe të ndershëm.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark