
Të premten e 3 qershorit, institucionet shëndetësore në vend njoftuar për një rast të dyshimtë të një qytetari nga Dragashi të prekur nga Lija e Majmunit. Mostra e tij pritet të dërgohet në Holandë, kanë konfirmuar nga IKShPK.
Për të kuptuar se cila është gjendja shëndetësore e 69 vjeçarit, Gazeta Insajderi ka kontaktuar drejtorin e Klinikës Infektive në QKUK, Arben Vishaj.
Vishaj tha se paciente e ka gjendje stabile dhe se po vazhdon të mbahet i izoluar.
Ai foli edhe për ndryshimet që i njëjti ka pësuar në lëkurë dhe më specifikisht në cilat zona të trupit.
“Gjendja e pacientit është dukshëm më e mirë. I njëjti ka pasur ndryshime në lëkurë, në shuplaka të duarve si dhe në qafë. Ai po vazhdon të qëndrojë i izoluar edhe me familjarët po kontakton rregullisht vetëm përmes telefonit”, tha Vishaj për Gazetën Insajderi.
I pyetur nëse ka dyshimet për ndonjë rast të ri, Vishaj u shpreh se gjithçka është nën kontroll dhe se nuk ka dyshimet për ndonjë rast të ri.
Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë, përkatësisht, Instituti Kombëtar Shëndetësisë Publike të Kosovës, me datë 03 qershor 2022 në ora 17:41, nga Klinika Infektive, QKUK, ka pranuar një raportim për një rast të dyshimtë në Lijën e majmunëve (Monkeypox).
Siç bëhet me dije nga komunikata, pacienti është mashkull, i lindur më 1953 nga komuna e Dragashit.
I njëjti është i hospitalizuar në Klinikën Infektive, QKUK me datën 03/06/2022 dhe i është marrë mostër nga ndryshimi lëkuror dhe do të dërgohet për analiza laboratorike. Gjendja e pacientit është stabile.
Po vazhdon mbikëqyrja epidemiologjike e pacientit dhe gjurmimi i kontakteve.
Mostra do të dërgohet në laboratorin referent të OBSh në Hollandë, presim edhe rezultatet laboratorike deri në diagnozën përfundimtare sipas kritereve të parapara.
Pacienti është në izolim, i hospitalizuar në Klinikën Infektive, QKUK.
“Ministria e Shëndetësisë dhe IKSHPK, njofton qytetarët e Republikës së Kosovës, se për çdo informatë të re, opinioni publik do të informohet në kohë reale, dhe se situata është e qetë dhe stabile”, thuhej në komunikatë.
/GazetaInsjaderi