Prokuroria Themelore në Gjilan ka kërkuar paraburgim ndaj dy të dyshuarve për falsifikim të parasë, tregti të ndaluar dhe shmangie nga pagesa e tarifave të detyrueshme.
L.F dyshohet se më 9 tetor në Kamenicë ka zhvilluar veprimtari të paautorizuar të shitblerjes së produkteve duke shmangur taksat e obligueshme.
“Sipas kërkesës, i pandehuri L.F., më datën 9 tetor 2024, në komunën e Kamenicës, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror ka zhvilluar veprimtari të paautorizuar të shitblerjes së produkteve duke shmangur taksat e obligueshme, ashtu që pas kontrollit nga Njësia e Task Forcë DRK – Lindja, në veturën e tij janë gjetur 14 paketime, me 700 boksa cigare të llojit Ëinston, pa dokument apo faturë mbi prejardhjen e mallit, në vlerë rreth 14.700 euro, të cilat ka pasur për qëllim që përmes rrugëve ilegale ti dërgonte në Serbi.”
Ai dyshohet se ka përdorur pasaportë të falsifikuar.
“Me këto veprime dyshohet për veprën penale ‘’Tregtia e ndaluar’’, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Po ashtu, i njëjti dyshohet edhe për veprën penale ‘’Falsifikimi i dokumentit’’, të KPRK-së, pasi që ka përdorur pasaportë të falsifikuar.”
Ndërsa H.I. dyshohet për “Shmangie nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore ose tarifave akcizore”, pasi gjatë kontrollit në shtëpinë e tij janë gjetur paketime të ndryshme të cigareve, pa dokumentacion përcjellës për prejardhjen e mallit.
Po ashtu, ai dyshohet se ka vënë në qarkullim para të falsifikuara.
“Gjithashtu, i pandehuri H.I., me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, ka vënë në qarkullim para të falsifikuara, ashtu që tek i njëjti janë gjetur edhe monedha metalike nga 2 euro, në vlerë të përgjithshme 640 euro. Me këto veprime dyshohet se i pandehuri H.I., ka kryer veprën penale ‘’Falsifikimi i parasë’’, të KPRK-së”
Të dyshuarit gjenden nën masën e ndalimit 48 orësh.