L.M, punëtor teknik në një shkollë në Ferizaj, po dyshohet se ka ngacmuar seksualisht një vajzë të mitur të kësaj shkolle. Me 28 maj i dyshuari është arrestuar duke u ndaluar në mbajtje për 48 orë.
Rastin e ka konfirmuar për Insajderin, zyra e informimit të policisë në Ferizaj.
I dyshuari 53 vjeçar, punëtor teknik është shoqëruar në polici dhe pas intervistimit nga hetuesit policorë , me vendim të prokurorit është ndaluar në mbajtje për 48 orë.
“Me datën 28.05.2024, rreth orës 13:45 policia rajonale e Ferizajt ka pranuar një informatë se në një shkollë në Ferizaj është një rast i sulmit seksual. Hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve nën autorizim të prokurorit të shtetit i kanë marrë masat e nevojshme për hetim dhe kanë identifikuar të dyshuarin L.M i moshës 53 vjeçar, punëtor teknik në shkollë , të cilin e kanë shoqëruar në polici dhe pas intervistimit nga hetuesit policorë , me vendim të prokurorit është ndaluar në mbajtje për 48 orë për procedura tjera hetimore , me dyshimin se ka kryer sulm seksual ndaj një të miture (nxënëse) e kësaj shkolle”, thuhet në përgjigjen e Policisë.
Lidhur me rastin për Insajderin kanë folur edhe nga Prokuroria Themelore në Ferizaj.
“Duke i’u referuar kërkesës suaj për të dhëna, ju njoftojmë se për rastin në fjalë, me vendim të Prokurorit të Shtetit, është ndaluar një (1) person i dyshuar në kohëzgjatje prej 48-orësh, për shkak të dyshimit të të veprës penale “Sulmi seksual” nga neni 229 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës”.
Në përgjigje thuhet se Prokuroria Themelore Ferizaj ndaj 53 vjeçarit ka parashtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh.
“Prokuroria Themelore në Ferizaj, ndaj të pandehurit, ka parashtruar edhe kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Ferizaj, në afat prej 30 ditësh, për shkak të dyshimit të veprës penale “Sulmi seksual” sipas KPRK-së“, thuhet në përgjigjen e PTH Ferizaj.