Autoritetet turke njoftuan të martën për arrestimin e shtetasit kosovar, Liridon Rexhepi në Stamboll, nën dyshimin se e ka menaxhuar rrjetin financiar të Mossadit në Turqi. Mossadi është agjencia kombëtare e inteligjencës e Izraelit. Ai u arrestua nga Departamenti i Antiterrorit në Stamboll. Insajderi ju sjell detajet.
Lidhur me rastin, Gazeta Insajderi ka kërkuar përgjigje nga Ministria e Punëve të Jashtme në Kosovë, për të kuptuar nëse kanë pasur bashkëpunim, përkatësisht ishin në dijeni të një arrestimi të tillë paraprakisht.
Sipas MPJD, ata u njoftuar nga Ambasada atje për arrestimin e Rexhepit, duke shtuar se janë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet lidhur me rastin.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, përmes Ambasadës së Republikës së Kosovës në Ankara, ka marrë njoftim nga autoritetet turke për arrestimin e një shtetasi kosovar në Turqi. Konsullata e Përgjithshme e Kosovës në Stamboll është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet turke lidhur me këtë rast. Në lidhje me informacione të reja do t’iu mbajmë të informuar”, thuhet në përgjigjen e MPJD-së për Insajderin.
Por si erdhi deri tek arrestimi?
Liridon Rexhepi sipas raportimeve në mediat turke, thuhet se ishte nën vëzhgim tash e një kohë, por vetëm me 30 gusht të këtij viti u arrestua.
Rexhepi thuhet se ka qenë nën vëzhgim që nga hyrja e tij në Turqi më 25 gusht, e ku vetëm pastaj u identifikua nga MIT si individ përgjegjës për mbikëqyrjen e rrjetit financiar të Mossad brenda vendit.
Autoritetet turke raportohet se zbuluan se kosovari, Liridon Rexhepi ishte i përfshirë në transferimin e fondeve për agjentët në terren të Mossad-it në Turqi.
Sipas tyre ai ka kryer incizime me dron dhe aktivitete operative psikologjike kundër politikanëve palestinezë me udhëzimet e Shërbimit izraelit të inteligjencës, mësohet se ka transferuar para për personelin e terrenit në Turqi që përpilonin informacione lidhur me Sirinë.
Përmes këtij hetimi nga autoritetet gjegjës ishin vërejtur aktivitete të dyshimta në llogaritë financiare të Rexhepit, duke përfshirë transfere të shumta parash përmes Wester Union, për operativët e Mossad në Turqi.
Pas ndalimit, Rexhepi e ka pranuar se ka lehtësuar transferet e parave. Pas deklarimit të tij, ai është arrestuar zyrtarisht dhe dërguar në burg.
Si rezultat i operacioneve të MIT-it, është përcaktuar se Mossad-i, për personelin e tij në terren në Tuqi ka transferuar para nga vendet e Evropës Lindore, veçanërisht nga Kosova.
Pas monitorimit të parave, u mësua se personeli në terren në Turqi i transferonte paratë që vinin nga Kosova në nënburime në Siri përmes Western Unionit dhe kriptomonedhave.
“Ai është i pafajshëm”
Familja e Rexhepit në një deklaratë janë shprehur të bindur se djali i tyre është i pafajshëm dhe se nuk është i përfshirë në pretendimet që thuhen.
Përfaqësuesi i autorizuar i familjes së Liridon Rexhepit, Arianit Koci, ka përcjellë shqetësimin e familjes Rexhepi për arrestimin e djalit të tyre.
Në porosinë e familjes Rexhepi thuhet se janë të bindur që Liridoni është i pafajshëm dhe kanë shprehur gatishmërinë për bashkëpunim me institucionet e Kosovës apo edhe të Turqisë.
“Njëjtë sikur ju, edhe ne jemi të shqetësuar, njëkohësisht të befasuar, me arrestimin e vëllait tonë, Liridonit, nga autoritetet turke në Stamboll.
Ne jemi të bindur që vëllai ynë është i pafajshëm, ngase asnjëherë të vetme nuk jemi të përfshirë në pretendimet që thuhen, as ne si familje, e as Liridoni.
Jemi të gatshëm për bashkëpunim me secilin insitucion të Kosovës apo edhe të Turqisë për ta sqaruar situatën.
Të gjitha informatat eventuale, do të përcjellën përmes të autorizuarit tonë avokatit Arianit Koci”, thuhet në reagimin e tyre.
Për rastin janë informuar institucionet përkatëse të Kosovës. Këtë e bëri të ditur ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Ajo në një konferencë për media tha se institucionet turke i kanë dërguar Ministrisë së Drejtësisë pyetje në lidhje me këtë rast, për çka tha se do të dalin me detaje më vonë.
“Në të kaluarën e dini rastin e dëbimeve të qytetarëve turq që kanë banuar në Kosovë, e dini problemin që ka ekzistuat, por në përgjithësi bashkëpunimi juridik me Turqinë është i shkëlqyer, Në këtë drejtim na kanë dërguar edhe pyetje me shkrim për rastin në fjalë. Për shkak të ndjeshmërisë së rastit kam, kërkoj që sapo të mbyllet konferenca do të ju përgjigjemi për çështjet që mund të bëhen publike”, tha Haxhiu.
Për arrestimin e shtetasit kosovar në Turqi ka shkruar edhe Agjencia ndërkombëtare e lajmeve, Reuters duke cituar informacionet e lëshuar nga shteti turk.
Që nga janari, autoritetet turke kanë arrestuar dhe akuzuar dhjetëra persona të dyshuar për lidhje me Izraelin, shumica e të cilave ishin shtetas turq.
/Insajderi