Aktivistja, Neri Ferizi është arrestuar mbrëmë nga Policia e Kosovës, pasi në mënyrë simbolike ka protestuar për vrasjen e Hamide Magashit nga bashkëshorti i saj, Sokol Halili. Ajo ka gjuajtur me një mjet shpërthyes objektin e qeverisë.
Ndaj Ferizit raportohet të jetë caktuar masa e paraburgimit prej 48 orësh, pas kësaj ka reaguar Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist duke kërkuar lirimin e saj.
Ato madje kanë kërkuar angazhim direkt të ministrit, Xhelal Sveçla për lirimin e saj përderisa kanë shtuar se shteti po i lë të lirë vrasësit.
“Kërkojmë nga Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla të angazhohet që shoqja jonë të lirohet menjëherë. Aktivistet nuk janë kriminele. Kriminelë janë vrasësit e grave. Rrjedhimisht, ata duhet të jenë në burg e jo aktivistet që i bëjnë ballë dhunës e shtypjes dhe angazhohen për barazi e drejtësi shoqërore“, thuhet në reagimin e tyre përcjell Insajderi.
SHTETI TA LIROJË AKTIVISTEN FEMINISTE, NERI FERIZI!
Sonte, Policia e Kosovës ka arrestuar Neri Ferizin, njërën nga aktivistet e protestës së sotme në kundërshtim të vrasjes së grave dhe e ka dërguar atë në mbajtje. Përderisa vrasësit i lë të lirë, Policia e Kosovës është duke vazhduar ta ndëshkojë rezistencën tonë tashmë edhe përmes burgut.
Kërkojmë nga Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla të angazhohet që shoqja jonë të lirohet menjëherë. Aktivistet nuk janë kriminele. Kriminelë janë vrasësit e grave. Rrjedhimisht, ata duhet të jenë në burg e jo aktivistet që i bëjnë ballë dhunës e shtypjes dhe angazhohen për barazi e drejtësi shoqërore.
Gjithashtu, ne ia ritheksojmë ministrit e gjithë shtetit që rezistenca jonë nuk mund të shuhet me burgime e përndjekje. Ju vazhdoni dhunën ndaj nesh, ne do masovizojmë rezistencën.