E avancuara nga Qeveria Mustafa që kishte përfituar nga procesi i dyshimtë gjyqësor – Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    E avancuara nga Qeveria Mustafa që kishte përfituar nga procesi i dyshimtë gjyqësor

    Insajderi
    06 April 2017 - 12:08
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Shtyrjet dhe vonesat e pafundme, siç ndodhin zakonisht në sistemin e drejtësisë, nuk ka ndodhur edhe për anëtaren e re të bordit të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), Shqipe Dema. Dema, e cila kishte lënë 11 persona të lënduar nga një aksident trafiku, për një muaj ishte hetuar, ngritur aktakuzë dhe shpallur aktgjykimi. Krejt kjo ngjarje ka kaluar në heshtje për palën e dëmtuar.

    Shqipe Dema, të mërkurën është emëruar anëtare e bordit të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë. Rreth dy vjet më parë kishte bërë pothuajse histori në sistemin gjyqësorë të Kosovës.

    Ajo në shtator të vitit 2015 kishte shkaktuar aksident trafiku, ku përveç dëmeve materiale, ajo kishte lënë edhe 11 persona të lënduar.

    Por, rasti i Shqipe Demës është njëri ndër rastet më të shpejta që është zgjidhur në sistemet gjyqësore të Kosovës. Rasti u zgjidh për vetëm një muaj, duke u bërë hetim, ngritur aktakuzë dhe shpallur aktvendimi i shkallës së parë.

    Shqipe Dema, me 20 shtator në Prishtinë, te rrethi, më saktësisht në rrugën “Fehmi Lladrovci”, me veturën e saj të tipit “Audi A3”, kishte aksidentuar një veturë të tipit “Golf 2”, pastaj me shpejtësi të madhe ajo kishte humbur kontrollin dhe kishte goditur mbrojtëset e metalta, shtyllën e stacionit dhe më pas edhe kalimtarët e rastit, duke u shkaktuar atyre lëndime të lehta dhe të rënda trupore.

    Në vendin ngjarjes kishte dalë prokurori kujdestar i rastit, Basri Morina, i cili e kishte përfunduar rastin para se të bëhej një muaj.

    Sipas hulumtimit të kryer nga “Betimi për Drejtësi”, prokurori Morina, sipas bindjeve të tij, kishte përfunduar hetimet, kishte ngritur aktakuzë me 13 tetor të po atij viti në Gjykatën Themelore të Prishtinës. Kjo gjykatë e kishte caktuar tri ditë më pas seancën e parë, më 16 tetor, e cila kishte shpallur edhe aktgjykimin, pasi e akuzuar ka pranuar fajin.

    Duke qenë se Dema gjatë kësaj seance e ka pranuar fajësinë, gjykata e kishte dënuar atë me 1 vit burgim me kusht që brenda 2 vjetësh të mos bëjë shkelje tjetër penale. Gjithashtu i është ndaluar vozitja në kategorinë “B” në afat prej një viti.

    Përderisa Dema, vetëm një muaj pas aksidentit që la 11 të lënduar, i ishte kthyer punës në Ministrinë e Bujqësisë.

    Krejt ky rast kishte kaluar në heshtje për palët e dëmtuara, të cilat aktvendimin për shkaktaren e 11 personave të dëmtuar e kishin marrë vetëm përmes medieve.

    Majlinda Sinani-Lulaj, dëshmitare dhe njëkohësisht familjare e palës së dëmtuar, të cilës nëna dhe babai i saj kishin mbetur të lënduar, ka thënë se ende prindërit e saj vuajnë lëndimet që kishin marrë në këtë aksident. Ajo ka thënë se, për të vërtetuar aktvendimin, kishte telefonuar vetë prokurorin.

    “Shpejtësia përmendej 80-120 km në fillim, ndërsa e kemi menduar si aksident normal. Por gjithë ajo shpejtësi nuk kemi  mundur të kuptojmë. Thyerje dhe lëndim i lehtë ishte cilësuar për nënën. Ndërsa për babën vetëm lëndim në kokë dhe asgjë tjetër, ndërkohë që babi ishte bërë operacion në kokë për këtë rast në Londër”, ka thënë Sinani-Lulaj për emisionin ‘Betimi për Drejtësi’.

    Madje ajo rrëfen diçka jo fort të zakonshme për një prokuror.

    “A po ia leni Zotit këtë punë”, thotë Sinani-Lulaj t’i ketë thënë prokurori Morina.

    Prokurori Morina për “Betimi në Drejtësi” kishte pranuar se asnjë rast që e merr në kujdestari nuk e pret në zyrat e tij, sepse i përfundon me shpejtësi.

    Gjyqtari dhe prokurori i rastit kanë mohuar se në këtë rast të ketë drejtësi selektive.

    Por, Basri Kastrati – nga Zyra për Mbrojte dhe Ndihmën Viktimave, pranon se në momentin që palët e dëmtuara nuk ftohen, atëherë, sipas Kodit të Procedurave Penale është bërë shkelje e të drejtave të tyre.

    Shqipe Demi, të mërkurën më 5 prill është zgjedhur si anëtare e bordit të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë./Insajderi.com


    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    21 January 2025
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark