Imami i Obiliqit, Behar Mjekiqi është denoncuar të martën në Polici nga e dashura e tij për dhunë fizike. Për rastin e Mjekiqit, Gazeta Insajderi ka kontaktuar kryeimamin e Obiliqit, Izedin Krasniqi, për të kuptuar se cili është qëndrimi i tyre si Bashkësi Islame.
Krasniqi konfirmoi se është takuar me hoxhën Mjekiqi, por që nuk di detaje të rastit.
“Nuk kemi kurrfarë njohurish për këtë që po më pyet, aq sa dini ju di edhe unë personalisht. Po jemi takuar (me Behar Mjekiqin) kemi pasur mbledhje dhe njësoj siç dini ju dimë edhe ne, asgjë më shumë”, tha Krasniqi për Insajderin.
Duke pasur parasysh që imami, Behar Mjekiqi është i martuar dhe ndërkohë është kuptuar se ka bashkëjetuar edhe me një grua tjetër, kryeimami i Obiliqit është pyetur se si e parasheh feja myslimane këtë veprim të Mjekiqit.
Krasniqi nuk ka hezituar ta cilësojë si tendencioze, pjesën e referimit si “e dashura” e hoxhës.
“Nuk kam koment më shumë për këtë çështje, kjo mendoj që është tendencioze nuk kam diçka më shumë me thënë. Por kjo pjesa e dashura, e ç’dashura, ku ta di unë më shumë nuk mundem asgjë me thënë. T’i lëmë organet e hetuesisë ta bëjnë punën e tyre, edhe le të del e vërteta në shesh të jemi të gjithë okej”, tha kryeimami.
Ashtu siç edhe bëri thirrje kryeimami i Obiliqit organet e drejtësisë tanimë veçse kanë filluar të merren me rastin e imamit, për të cilin janë ngritur dyshimet se me ndihmën e komandantit të policisë atje e ka mbyllur rastin.
IPK ka nisur hetimet ndaj zyrtarëve policorë
Nga Inspektorati Policor i Kosovës në një përgjigje për Gazetën Insajderi deklaruar se veç kanë nisur të grumbullojë informacione në lidhje me dyshimet e raportuara në media.
IPK thotë se tashmë ka pasur kontakte me zyrtarë të Stacionit Policor të Obiliqit dhe zyrtarë të tjerë, përshirë edhe kontaktin me Prokurorin e rastit.
“Duke ju referuar kërkesës suaj ju konfirmojmë se IPK sipas detyrës zyrtare (ex officio) ka filluar të grumbullojë informacione pas publikimit të lajmit në medie lidhur me këtë rast. Krahas grumbullimit të informacioneve nga hetuesit e IPK-së janë ndërmarrë edhe veprime hetimore konkrete që kanë përfshirë kontakte me zyrtarë të Stacionit Policor të Obiliqit dhe zyrtarë të tjerë përshirë edhe kontaktin me Prokurorin e rastit. Veprimet tjera do të ndërmirren bazuar në autorizimet ligjore të IPK-së”, thuhet në përgjigjen e IKP-së dhënë Insajderit.
Lidhur me rastin për Insajderin detaje kanë dhënë nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.
Zëdhënësja e kësaj prokurorie, Laureta Ulaj të enjten konfirmoi se viktima ishte pyetur nëse do të shkojë në strehimore por që e njëjta kishte kërkuar të kthehet në shtëpinë e saj në Maqedoninë e Veriut.
“Rastit të cilit i referoheni, ju njoftojmë se me të marrë informatën, prokurori kujdestar me kujdes dhe në mënyrën më të mirë të mundshme i ka analizuar dhe trajtuar të gjitha informatat dhe të gjeturat fillestare të këtij rasti. Viktimës i është ofruar gjithë ndihma e nevojshme, po ashtu, e njëjta është pyetur nëse dëshiron të shkojë në Strehimore, mirëpo ka refuzuar dhe është shprehur se dëshiron të shkojë në shtëpinë e saj”, deklaroi ajo.
Ajo shtoi se rasti është iniciuar si “dhunë në familje”.
“Ndërkaq, prokurori kujdestar ka urdhëruar që rasti të hapet (iniciohet) për dhunë në familje dhe të trajtohet tutje konform dispozitave ligjore të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës”, deklaroi Ulaj për Insajderin.
Edhe nga Policia e Kosovës kanë konfirmuar rastin e dhunës së ushtruar nga hoxha ndaj të dashurës së tij. Përmes raportit 24 orësh është bërë me dije se viktima ka pranuar tretman mjekësor.
Raporti i policisë:
“Obiliq 20.12.2022 – 18:30. Ankuesja femër shqiptare ka raportuar se i dyshuari mashkull kosovar me të cilin ka qenë duke bashkë jetuar, e ka larguar nga shtëpia. I dyshuari, është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit. Viktimës iu është ofruar tretman mjekësor. Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit i cili ka rekomanduar që i dyshuari të lirohet dhe rasti të procedohet në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin e PK-së.
Imami Mjekiqi, i intervistuar nga policia të martën, e ka pranuar se e ka larguar viktimën nga shtëpia. Por e ka mohuar të ketë përdorur dhunë ndaj saj.
Mjekiqi, po ashtu ka thënë se ndihet i kërcënuar nga E.J.
Raporti konstaton se E.J. është shqiptare, shtetase e Maqedonisë së Veriut, dhe me të njëjtën imami nga Obiliqi është në lidhje dashurie prej disa vitesh dhe të dy “kanë jetuar me njëri-tjetrin kohë pas kohe”. Mjekiqi e ka pranuar para hetuesve policorë se është në lidhje me viktimën E.J. qe së paku tre vjet. Viktima, ndërkaq ka thënë se lidhja e tyre është e gjatë së paku gjashtë vjet.
Sipas raportit, E.J. kishte ardhur në shtëpinë e imamit Mjekiqi në Mazgit të Obiliqit të dielën më 18 dhjetor.
“Më tutje i dyshuari pohon se arsyeja pse unë dua ta largoj nga shtëpia është se ndihem i kërcënuar nga E.J. sepse me ka kërcënuar se do ta kalli shtëpinë, do ta mbys djalin”, thuhet në raportin e policisë për rastin të cilin e posedon Paparaci.
Siç shpjegohet në raport, E.J. ka thënë se imami Mjekiqi, gjatë kohës kur e kishte larguar dhunshëm nga shtëpia, e kishte marrë revolen e tij në dhomën ajo ndodhej, mirëpo nuk “është kanosur nga i dyshuari”.
Policia ka konstatuar se i dyshuari posedon autorizim për mbajtje të armës.
Pas intervistimit në Stacionin e Policisë në Obiliq, me urdhër të prokurorit kujdestar Musa Mehaj, imami Behar Mjekiqi është liruar në procedurë të rregullt.
Ndërkohë dihet se hoxha, Behar Mjekiqi është i martuar dhe ka një fëmijë.
/GazetaInsajderi