×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    E dënuar për kontrabandë – Si ndryshoi komuna e Alban Hysenit vendimin e rrënimit në favor të kompanisë “Ada Gas”

    Insajderi
    23 August 2024 - 12:29
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Komuna e Gjilanit, kishte marrë vendim për rrënimin e një pjesë të objektit “Ada Gas” në rrugën Glama- Qarkore. Ky vendim asnjëherë nuk u zbatua, madje edhe u ndryshua nga Komuna. E njëjta kompani ishte dënuar në vitin 2022 për kontrabandë me naftë. Në objektin ku ndodhet kjo kompani që ishte marrë vendimi për rrënim, ndodhet edhe “Broket Eatery”. Ky lokal është në pronësi të biznesmenit, Albert Sylejmani i cili është ish-bashkëshorti, i deputetes së VV-së, Adriana Matoshi.

    Gazeta Insajderi

    Komuna e Gjilanit, që udhëhiqet nga Alban Hyseni i VV-së, kishte marrë vendim në vitin 2022 që të fillojë menjëherë rrënimi i objektit të “Ada Gas” pasi ka tejkaluar lejen ndërtimore.

    Komuna kishte obliguar drejtorin, Ridvan Murati që të filloj rrënimin e pjesës së tejkaluar. Në vendim thuhej se nëse ai nuk e bën këtë, objekti do të rrënohet nga Drejtoria e Inspeksionit.

    Madje, inspektorët ishin dërguar të “Ada Gas”, përderisa kjo pjesë e tejkaluar po ndërtohej, duke ia ndaluar punimet dhe duke ia larguar punëtorët nga vend punishtja. Por, që kjo kompani, kishte vazhduar me punime.

    Inspektorët e ndërtimit sipas autorizimeve zyrtare kanë marrë të gjitha veprimet juridike ndaj investitorit me qellim që të parandaloj ndërtimin pa leje duke filluar me vendimin për ndërprerjen e punëve, largimin e punëtorëve nga vend punishtja, rrethimin e objektit me shenjë zyrtare, përkundër të gjitha këtyre veprimeve investitori vazhdon të punoj pa leje të ndërtimit

    Drejtoria e inspeksionit pasi konstaton se investitori nuk ka përfillur asnjë kusht për ndalimin e punëve në ndërtimin e objektit pa leje, si dhe propozimit te inspektorëve të ndërtimit merr vendim për rrënimin e objektit, plotësisht në ligjshmëri të nenit 3 pika 1.1 të Ligjit mbi Inspektoriatin e Ndërtimit nr 04/L-175 neni 31 si dhe pika 1 dhe 3 të nenit 34 të Ligjit“, thuhet në vendim.

    Vendim i vitit 2022 nuk u ekzekutua asnjëherë, në vitin 2023, Komuna ndryshon këtë vendim.

    Në vendimin e datës 20.07.2023, Komuna ka aprovuar kërkesën e “Ada Gas” për ta konstatuar sipërfaqen e përgjithshme.

    Aty thuhet se Drejtoria e Inspeksionit ka dal në vendin e ngjarjes dhe ka nxjerrë konstatim se lokali afarist i plotëson kushtet për ushtrimin e veprimtarisë.

    Aprovohet kërkesa parashtruar nga Ridvan Murati për pranimin e lokalit afarist K.P.T.SH- Autogeni-Adagas-Company” SH.P.K, nr-biz. 810273409, rr. “Gllama (Qarkore)”, Gjilan, lokali, i plotëson kushtet minimale teknike“, thuhet në vendim.

    “Ada Gas” dhe lidhja me ish-bashkëshortin e deputetes së VV-së, Adriana Matoshi

    Në objektin ku ndodhet kompania e derivateve “Ada Gas”, është edhe restoranti “Broket Eatery”, që është në pronësi të, Albert Sylejmanit.

    I njëjti është ish-bashkëshorti i deputetes së VV-së, Adriana Matoshi, që së bashku kanë tre fëmijë.

    “Ada Gas” dhe “Broket Eatery “, përveç objekti, kanë të përbashkëta të tjera.

    Restoranti që figuron në emër të biznesmenit, Albert Sylejmani, si e-mail kontaktues ka të vendosur, e-mailin e “Ada Gas”, përkatësisht, ky kontakt është në emër të pronarit Ridvan Murati.

    Në faqen e ARBK-së, si aksionar në restorantin që për pronar ka ish-burrin e deputetes së VV-së, është Adnan Murati.

    I njëjti në web-faqen, prokurim i hapur listohet si një ndër pronarët e “Ad Gas”.

    Ndërsa në ARBK, si pronar figuron vetëm Ridvan Murati.

    Gazeta Insajderi, ka dërguar pyetje në Komunën e Gjilanit dhe në kompaninë “Ada Gas”, për të marrë vesh se si erdhi deri tek ndryshimi i vendimit për rrënim, por të dyja palët nuk kanë kthyer përgjigje.

    Dënimi për kontrabandë ndaj “Ada Gas”

    Gjykata, kishte dënuar në vitin 2022 kompaninë “Ada Gas”, për kontrabandë.

    Fillimisht, nga Gjykata Themelore në Gjilan, kjo kompani u dënua me 10 mijë euro gjobë, por pas ankesës në Gjykatën e Apelit iu zbrit në 5 mijë euro.

    Sipas vendimit të Gjykatës, gatë inspektimit në “Autogeni Ada Gas Commpany”, nuk janë prezantuar dokumentet e kërkuara.

    Në Procesverbalin e Inspektimit thuhet se ky subjekt ushtron veprimtarin tregtare shitje me shumicë të benzinës dhe dizellit pa Licencë,

    Më datë 31.12.2021, Inspektorët e tregut të MINT-së, kanë inspektuar subjektin ekonomik “Autogeni Ada Gas Commpany”, SHPK, gjatë inspektimit është konstatuar në Procesverbalin e Inspektimit Nr. 19/000018, se ky subjekt ushtron veprimtarin tregtare shitje me shumicë të benzinës dhe Dizellit pa Licencë, i cili nuk ka prezantuar dokumentacionin e cekur kur i është kërkuar nga inspektorët për çka ka qenë i obliguar sipas nenit 4 të Ligjit 2004/05 për tregti me naftë dhe Derivate të Naftës në Kosovë

    I është shqiptuar dënimi me gjobë në shumë prej 10.000(dhjetëmijë)€, të cilën ka për ti paguar në afat prej 15 ditësh, pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, ndërsa në qoftë se nuk e kryen pagesën në afatin ligjor i njëjti dënim me gjobë do të ekzekutohet me dhunë, sipas dispozitave të Ligjit për Procedurën Përmbarimore”, thuhet në vendimin e Gjykatës Themelore në Gjilan“, thuhet në vendimin e siguruar nga Gazeta insajderi.

    Pas, gjobës 10 mijë euro, kjo kompani u ankua në Gjykatën e Aeplit, ku sipas vendimit të kësaj Gjykatës, “Ada Gas” ka marrë dënim prej 5 mijë euro.

    Ndaj të pandehurit Subjektit Ekonomik Person juridik “Autogeni Ada Gas Commpany”, SHPK, me NRB: 810273409, Njësia në rrugën Qarkore në Gjilan, me personin përgjegjës Ridvan Murati, për kundërvajtje nga neni 6 par. 1 dhe par. 2 pika 2.2 sanksionuar sipas nenit 19 par. 4 pika 4.1 të Ligjit Nr. 08/1-018 për tregtinë me produkte të naftës dhe karburante të ripërtrishme, lidhur me nenin 7 të Udhëzimit Administrativ Nr. 09/2020, konform nenit 35 të LK-së, i shqiptohet dënimi me gjobë në shumë prej 5000(pesëmijë), të cilën ka për ta paguar në afat prej 15 ditësh, nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, në të kundërtën nëse gjobën e shqiptuar nuk e paguan në afatin e caktuar e njëjta do të arkëtohet me dhunë sipas Ligjit për Procedurën Përmbarimore“, thuhet në vendim. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark