Komuna e Prishtinës, nën udhëheqjen e Përparim Ramës, vazhdon të favorizojë biznesmenin nga Malisheva, Vllaznim Mazreku, i cili ka një të kaluar me dënim për mashtrim në prokurim publik. Pavarësisht këtij fakti, Komuna nuk ka hezituar të shpërblejë kompaninë e Mazrekut, “FLAMURI V”, me tenderë të shumtë. Një nga këta tenderë, me vlerë afro 500 mijë euro, iu dha në muajin janar të këtij viti. Ndërkaq, disa ditë më parë, “FLAMURI V” fitoi një tender edhe më të madh, me vlerë që kalon 1 milion euro, për punë në projektin e rekonstruimin e rrugës “Rexhep Luci” dhe “Qamil Hoxha”.
Ky tender iu dha Mazrekut përkundër kritikave të shumta që kishin shoqëruar realizimin e punimeve në rrugën “Xhavit Ahmeti” e njohur si Bledi, ku u theksuan moskryerja e punimeve, vonesat e afateve dhe neglizhenca në realizimin e projektit. Ku ende sot, po vazhdojnë punimet.
Kjo ka nxitur pyetje të shumta lidhur me vendimet e Komunës së Prishtinës: A është marrë parasysh mosrealizimi i punimeve në këtë lagje si referencë për dhënien e tenderit të ri? Përgjigja është jo.
“Kompania jonë Flamuri V SH.P.K ju njofton të gjithë qytetarët së komunës Prishtinës, se do të fillojnë punimet për rekonstruimin e rrugës Rexhep Luci dhe Qamil Hoxha. Punimet përfshijnë infrastrukturën nëntokësore, kanalizimin fekal , kanalizimin atmosferik, gypat e ujësjellësit, ndriqimi i rrugës. Pastaj edhe sipërfaqja e sheshit me kalldrëm dhe pllaka guri”, thuhet në njoftimin e kompanisë në Facebook, të lëshuar me 20 nëntor ku në fotografi shihet edhe kryetari Rama.
Çka përmban kjo kontratë?
Komuna e Prishtinës ka vendosur që ta shpërblejë me tender grupin e operatorëve ekonomik: “FLAMURI V”, “Benita Company” e përfaqësuar nga Vllanzim Mazreku. Më saktë për “Rekonstruimi i rrugës Rexhep Luci dhe Qami Hoxha”.
Kontrata kap vlerën e 1 milion e treqind e tridhjetë e tetë mijë e njëqind e gjashtëdhjetë e nëntë euro e pesëdhjetë e gjashtë euro cent (1,338,169,56 euro).
Kontrata është nënshkruar me datë 8 nëntor mes Visar Shehut, udhëheqës i sektorit të Prokurimit, kryetarit, Përparim Rama dhe përfaqësuesit të kompanisë “FLAMURI V”m Petrit Krasniqi.
Ankesat e banorëve të rrugës “Xhavit Ahmeti”
Kontrata për “Ndërtimin e rrugës Xhavit Ahmeti” është lidhur më 11 janar të këtij viti, mes autoritetit kontraktues Komunës së Prishtinës dhe grupit të operatorëve ekonomik: Flamuri V SH.P.K, Benita Company, dhe AAB Construction SH.P.K, të përfaqësuar nga Vllaznim Mazreku, drejtor i këtij grupi.
Komuna e Prishtinës ka ndarë shumën prej 383,054.20 euro (treqind e tridhjetë e tre mijë e pesëdhjetë e katër euro e 20 cent) për realizimin e këtij projekti.
Megjithatë, vetëm pak kohë pas nënshkrimit të kontratës, kompania “Flamuri V”, me pronar Vllaznim Mazrekun, u shpërblye gjithashtu me një tender tjetër nga komuna e Prishtinës. Pavarësisht se banorët e lagjes “Xhavit Ahmeti” mbeten të pakënaqur me cilësinë e punimeve, ose më saktë, me mungesën e përfundimit të tyre nga ky operator ekonomik.
Sipas kontratës fillestare, punimet në këtë rrugë ishin parashikuar të përfundonin brenda tre muajve, por tashmë ka kaluar gati një vit dhe ende vazhdojnë punimet në këtë lagje, duke shkaktuar shqetësim të madh te banorët.
Pas presionit nga Insajderi, dhe mediave tjera në vend një shtresë e asfaltit është shtruar në një hapësirë prej 400 metrave, teksa punimet sipër lagjes po vazhdojnë edhe sot.
Theksojmë se Komuna e Prishtinës ka qenë vazhdimisht në dijeni të këtyre ankesave, si nga qytetarët ashtu edhe nga mediat.
Gazeta Insajderi, ka ditë që ka kërkuar nga Komuna e Prishtinës shpjegime se si ishte mundur që një kompani me një histori të tillë, si ajo e Vllaznim Mazrekut, të zgjidhej për një projekt kaq të rëndësishëm si ai i rrugës “Rexhep Luci”. Po ashtu, gazeta ka kërkuar informacion nëse kompanisë i janë shqiptuar ndonjë penallti për vonesat e regjistruara në realizimin e punimeve.
Gjithashtu, Insajderi ka kërkuar sqarime nëse, kur është dhënë tenderi i ri për rrugën “Xhavit Ahmeti”, është marrë parasysh si referencë moskryerja e punimeve në këtë lagje.
Megjithatë, Komuna e Prishtinës nuk ka kthyer asnjë përgjigje deri tani.
/Insajderi