×
  • Lajme
  • Lajme

    E detyruan ta largojë kollaren kuq e zi – Gjykata Speciale nuk jep asnjë shpjegim për Jakup Krasniqin

    Insajderi
    09 July 2024 - 14:05
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Sigurimi i Gjykatës Speciale e ka detyruar ish-kryetarin e Kuvendit e Kosovës, Jakup Krasniqi në seancën e së hënës që ta largoja kollaren kuqe e zi para se të hynte në sallë. Kështu tha avokatja e tij, Venkateswari Alagendra. Ajo tha se pyeti gjyqtarin pse ndodhi kjo, por nuk mori një përgjigje.

    Një përgjigje/arsyetim se përse kjo gjykata ndërmori këtë veprim ndaj Krasniqit, Insajderi e kërkoi edhe nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

    Zëdhënësi për media Michael Doyle tha se për këtë çështje momentalisht mund t’i referohemi vetëm asaj se çka u tha gjatë seancës.

    Si rrjedhojë, nuk u dha përgjigje nëse ishte kërkesë e gjyqtarëve apo rregull e gjykatës që Krasniqi ta largonte kollaren me motive kombëtare.

    “Për momentin, i vetmi informacion publik për këtë temë është ajo që u tha gjatë seancës publike të djeshme në sallën e gjyqit”, thuhet në përgjigjen e ZPS-së për Insajderin.

    Kërkesa për largimin e kollares dhe reagimet që pasuan

    Ani pse nuk ishte hera e parë që Jakup Krasniqi po e barte kollaren kuq-e-zi me me motive kombëtare, ai u detyrua që në seancën e së hënës ta largonte kollaren, e pastaj të merrte pjesë.

    “Z. Krasniqi ka pasur një kollare sot në mëngjes dhe ia kanë hequr, këtë kollare e ka pasur veshur edhe më herët në seanca të gjyqit, a mund të dimë pse ia kanë hequr?” ka pyetur avokatja Alagendra.

    Ndërkohë, kryegjyqtari Charles Smith iu përgjigj se “nuk e ka haberin” dhe se do të interesohet për këtë çështje, duke kërkuar më pas që të vazhdohet me dëshmitarin e radhës.

    Avokatja gjithashtu tregoi se sigurimi e ka detyruar Krasniqi të heqë kollaren.

    Pas kësaj pasuan reagimet e ashpra ndaj Speciales pas veprimit ndaj Krasniqit, reaguan vajza, nipi, avokatë, deputetë e pjesëtarë të OVL-UÇK-së.

    Vajza e tij, Gresa Krasniqi duke e përdorur figurën e luftëtarit shqiptar, Mic Sokoli për ta përshkruar situatën e babait të saj.

    Mes tjerash shprehet; nga gjoksi mund t’ia zhveshin shqiponjën, por kurrë nga zemra.

    “Mic Sokoli me gjoksin e tij kishte pritur gjylen e topit sepse dëshira per çlirim dhe liri ishte më e madhe se jeta prej zvarraniku. Mic Sokolët sot, me gjoksin e tyre presin padrejtësitë e këtij shekulli ndonëse mbi supet e tyre rëndojnë plagët e pa sheruara të një populli të shtypur e te vuajtur! Mic Sokoleve sot, nga gjoksi mund t’ia zhveshni shqiponjën, por kurrë nga zemra!”, shkroi ajo në Facebook.

    Edhe deputetja, Ganimete Musliu tha se Gjykatës së themeluar në Kuvendin e Kosovës, po i pengon identiteti shqiptar.

    Ajo ka kritikuar institucionet e vendit që nuk po reagojnë ndaj sjelljeve raciste që Specialja po i bën.

    “Se kjo gjykatë është politike dihet botërisht por heshtja e institucioneve tona ndaj këtyre sjelljeve raciste është e papranueshme. Bacës Jakup veç munden me ia mar të ligat se ai me shokët e tij të idealit shqiponjën e kanë në zemër, por ku jemi ne si Kuvend e si Qeveri, si parti politike, si Organizata Joqeveritare, ku jemi ne si komb qe nuk ngrihemi në këmbë kur ca “gjyqtarë” të shitur shkelin mbi krenarinë tonë dhe drejtësinë e përbaltin për portofol personal”, shkroi deputetja në Facebook.

    Theksojmë se përveç Jakup Krasniqit edhe Nasim Haradinaj e kishte bartur të njëjtën kollare por që nuk i ishte kërkuar ta hiqte.

    Mbi 50 dëshmitarë janë dëgjuar për një vit në procesin gjyqësor në Gjykatën Speciale ndaj ish presidentit Thaçi dhe të tjerëve.

    Sipas aktakuzës së ZPS-së, Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi akuzohen për krime kundër njerëzimit e krime lufte, që pretendohet se janë kryer ndërmjet marsit të vitit 1998 e deri në shtator të vitit 1999.

    Ata janë në paraburgim që nga nëntori i vitit 2020.

    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    22 November 2024

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark