“E dimë që ka një Serbi më të mirë”, është kjo deklarata që sot dha para Këshillit të Sigurimit në OKB ministrja e Punëve të Jashtme Donika Gërvalla Shwarz, shkruan Insajderi.
Kryediplomatja tha se populli i Kosovës e di që ka edhe një Serbi më të mirë.
Gërvalla ka thënë se Kosova shpreson që ajo Serbi të vijë sa më shpejt.
“Ne viktimat e gjenocidit dhe brutalitetit duam të krijojmë paqe, jo vetëm për ne por edhe për rajonin. Ne jemi populli i Kosovës dhe ne e dimë që ka edhe një Serbi më të mirë, një Serbi që ende është e dobët por evropiane. Një Serbi që dëshiron të ndalet së qeni kërcënim për fqinjët e saj. Ne po presim për atë serbi dhe shpresojmë që do të vijë sa më shpejt të jetë e mundur”, derisa ministrja tha fjalinë e fundit kamera kapi reagimin e dy përfaqësuesve të Serbisë, Ivica Daçiq dhe Marko Gjuriq.
“Qytetarët serbë mund ta marrin në dorë fatin e tyre dhe të shtrijnë dorën e pajtimit fqinjëve të tyre. Kjo është e mundur. Një vend mund të marrë vendime të reja. Kosova dhe të tjerët kanë treguar se kjo mund të arrihet. Ne mbesim të hapur për pajtim”, potencoi Gërvalla.
Tutje fjalimin e vazhdoi duke folur për personat e të zhdukurve në Kosovë.