E dua Dua Lipën, por më shumë e dua Sarën e vogël që shet misra për mbijetesë - Insajderi
×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    E dua Dua Lipën, por më shumë e dua Sarën e vogël që shet misra për mbijetesë

    Insajderi
    29 July 2021 - 14:18
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Shkruan: Arben Malaj

    Ky shkrim synon të jetë edhe një apel publik jo vetëm për Sarën e vogël 10 vjeçe, që për mbijetesën e saj, të dy motrave më të vogla, të babait të sëmurë dhe gjyshes, shet deri në mesnatë misra në anë të rrugës.

    Ky apel publik ka një mesazh dashamirës edhe për Dua Lipën. Në vendet me demokraci të cunguar dhe me risqe reale e në rritje për autotarizëm, në vendet ku qeveritë janë të kapura nga oligarkët dhe me keqqeverisjen e tyre i bëjnë të pasurit më të pasur dhe të varfrit gjithnjë e më të varfër, politikanët lodhen për ta shitur “miqësinë personale” me këngëtarë, sportistë, shkrimtarë me famë botërore – për të fshehur keqqeverisjen e tyre që po prodhon kaq shumë varfëri e braktisje të vendeve tona.

    Këtë fundjavë, duke udhëtuar për në Vlorë, afër rrethrrotullimit të Rrogozhinës, Sara, një vajzë e vogël si një engjëll, së bashku me motrat, 6 dhe 8 vjeç, luteshin për të shitur disa misra të pjekur.

    Gjyshja i furnizonte me misra dhe i shoqëronte me shqetësimin për pa sigurinë e tyre nga fakti që ato shisnin në anë të rrugës, ku makinat luksoze më shumë fluturonin se sa ecnin.

    Sara është e qeshur, dinamike, negociatore e shpejtë dhe e suksesshme. Pas çdo shitje gëzonte shumë dhe e ndante menjëherë gëzimin me motrat dhe gjyshen. Kurrë nuk kam parë sy më të gëzueshëm sesa sytë e Sarës kur i premtova se do t’i dhuroja disa libra. Sara nuk u lumturua kur i premtova rrobat për atë dhe familjen e saj, as kur i premtova se do ta ndihmoja gjithmonë. Sytë e Sarës u lumturuan vetëm kur dëgjoi fjalën – libra. Gjyshja e saj më tregoi se Sara e kishte babain të sëmurë, prandaj duhej ta nxirrte vete bukën e gojës, për vete, prindërit, gjyshen dhe për dy motrat më të vogla.

    Po përballesha jo për herë të parë me këtë realitet migjenian, por pikërisht kur isha “lodhur” gjatë gjithë rrugës nga marketingu publik për Dua Lipën, të cilën e vlerësoj dhe e respektoj shumë.

    Ndjeva trishtim sepse Sara e vogël është parë buzë rrugës nga shumë politikanë, të shoqëruar me eskorta zhurmë-frikësuese.

    Sarën e kanë parakaluar jo pak politikanë arrogantë e të babëzitur që i kanë braktisur Sarat e vogla që shesin deri në mesnatë për mbijetesë që të nesërmen pas votimeve.

    Fatkeqësisht, lakmia për pushtet abuziv disa prej politikanëve i ka varfëruar shpirtërisht dhe jo pak prej tyre lufta për pushtet absolut e abuziv financiar e politik i ka kriminalizuar.

    Sarën/t i kanë parakaluar plot fodullëk jo pak biznesmenë dhe fëmijët e tyre “superluksozë”. I kanë parakaluar me shpejtësi marramendëse, si për t’i përçmuar të “varfrit dështakë” që jetojnë vetëm për mbijetesë.

    Le të shpresojmë që politikanët të mos i përdorin vizitat e artistëve shqiptar me famë botërore – për të justifikuar përzënien apo tërheqjen zvarrë të shitëseve të varfra, edhe sepse ato shesin për të mbijetuar, për të arsimuar nipërit dhe mbesat të blerë ilaçet e shtrenjta të pleqërisë.

    Ato nëna apo fëmijë janë realiteti i hidhur, por edhe pasqyra ku shihet një keqqeverisje. Në filozofinë konfuciane theksohet se në një vend që mirëqeveriset, varfëria (e popullit) është diçka për të cilën turpëroheni. Në një vend që keqqeveriset, pasuria (e politikanëve) është diçka që i turpëron ata.

    Përballë Sara-ve kalojnë çdo ditë biznesmenë tenderë-fitues që me pasurin e tyre korruptive po i varfërojnë më shumë të varfrit.

    Dua Lipa mund t’i bëjë dy gjëra fisnike. E para – të mësojë çdo ditë dhe t’i respektojë përherë dhe kudo këshillat inspiruese të Nënë Terezës (modeli i së cilës vazhdon frymëzon e inspiron miliarda njerëz të varfër), se të gjithë ne nuk duhet të synojmë të bëjmë gjëra të mëdha/aq me pak vezulluese e të zhurmshme – por gjëra të vogla me zemër të madhe.

    Vendet tona kanë nevojë për më shumë kohezion dhe solidaritet për të varfrit. Kemi nevojë të prodhojnë çdo ditë dhe nga sa më shumë individë të thjeshtë (demokratizimi i bamirësisë) energji pozitive që shumëfishon, shpërndan dhe rishpërndan sinergjinë pozitive që të bëjmë çdo ditë gjëra të vogla, por me zemër të madhe.

    Nga kjo energji dhe sinergji pozitive fitojnë Sara-t e Shqipërisë dhe Kosovës, por edhe “nënat dhe gjyshet” e Dua Lipës, të cilat kur shesin në kryqëzimet e rrugëve, përndiqen, përzihen apo trajtohen barbarisht, pavarësisht se ato shesin vetëm për mbijetesë.

    Në udhëkryqet e pikëprerje të rrugëve horizontale me ato vertikale të Manhatenit, pikërisht aty ku “vret” vezullimi i firmave dhe modeleve të modës apo i kryeqendrës financiare të botës shesin njerëz të varfër me karroca modeste që jo vetëm nuk përzihen apo përndiqen nga Policia Bashkiake, por bashkia e Nju Jorkut nëpërmjet një platforme online i nxit të varfrit të përzgjedhin vetë vendin ku mund të shesin. Luftën kundër varfërisë nuk mund ta fitojë e vetme asnjë bashki apo qeveri, pa i nxitur dhe përfshirë të varfrit ta luftojnë varfërinë e tyre.

    E dyta – Dua Lipa mund të pasurohet më mirë shpirtërisht nëse përshkon vetë dhe modestisht rreth 400 km veri-jug të Shqipërisë, duke ndaluar edhe te Sara/t që shesin deri në mesnatë.

    Takimi i artistëve dhe sportistëve me famë botërore me të varfrit aty ku ata e sfidojnë varfërinë, përqafimet plot dashuri të sinqertë, dhurimi i disa librave, pse jo edhe një foto – do t’i lumturonte Sara/t e Shqipërisë dhe Kosovës.

    E dua Dua Lipën dhe i jam shumë mirënjohëse për arritjet dhe famën e saj. Por dua më shumë Sara-t, motrat dhe gjyshen/t që sfidojnë varfërinë, por edhe ndihmojnë të zbulohen në dritë të diellit keqpërdorimet e taksave të taksapagues të varfër shqiptarë nga politikanët për të fshehur varfërinë e tyre shpirtërore edhe përmes keqpërdorimit publik të artistëve dhe sportistëve shqiptarë me famë.

    Nënë Tereza i takonte të sëmurët me lebrozë aty ku ata ishin, pa bujë mediatike, pa publicitet me politikanë.

    Historikisht, udhëheqësit autokratikë deri diktatorët i duan artistët e mëdhenj vetëm sepse u duhen.

    Fidel Kastro kishte miqësi personale me shumë artistë, shkrimtarë dhe sportistë me famë botërore. E shiste publikisht këtë miqësi plot mburrje. Por miqësia e tij me këto personalitete botërore nuk e zbuti shokun Fidel që të mos ishte shtypës ndaj popullit të tij. Ndoshta i shërbeu për ta nënshtruar më lehtë popullin kuban apo edhe për ta zgjatur sundimin e tij.

    Keqqeverisja shpirtërisht dhe financiarisht varfëruese u vret shpresën dhe të ardhmen i detyron qindra mijëra shqiptarë të largohen nga Shqipëria dhe Kosova.

    Sara duhet shpëtuar nga varfëria materiale dhe shpirtërore. Artistët e rinj me famë botërore duhen shpëtuar nga risku i famës që vret.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    Op-Ed
    16 December 2024
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark