Hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) i kanë rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin për një zyrtare policore në Prishtinë me dyshimin se e njëjta ka kryer veprën penale “kanosje”.
Përmes një komunikate për media, thuhet se rekomandimi është bërë bazuar në autorizimet ligjore të IPK-së në interes të hetimit të rastit.
“Informacionet e para lidhur me këtë rast hetuesit e IPK-së i kishin pranuar dje në orët e pasdites nga ankuesi fillimisht përmes telefonit. Pas pranimit të informacioneve fillestare hetuesit e IPK-së kanë marrë një deklaratë nga ankuesi i cili ka përshkruar rrethanat e rastit”, thuhet në komunikatë.
Hetuesit e IPK-së në koordinim me Prokurorin kanë ndërmarrë disa veprime hetimore përderisa rasti vazhdon të trajtohet në procedurë të rregullt.