E famshmja e “Pronto-s” që punon në Ministrinë e Shëndetësisë, Arbenita Pajaziti me dy biznese për ‘fillera’ pa licencë - Insajderi
×
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    E famshmja e “Pronto-s” që punon në Ministrinë e Shëndetësisë, Arbenita Pajaziti me dy biznese për ‘fillera’ pa licencë

    Insajderi
    12 May 2025 - 15:26
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Postimet e para në faqen e Facebook-it të “EjCenter’, pronë e Arbenita Pajazitit, datojnë tash e mbi 6 vite më parë. ‘Pacient” e “mjek” janë fjalë që përdorën në postime. Shërbimi? Mbushje e lëkurës me një substancë- ‘filler’. Kjo zyrtare e Ministrisë së Shëndetësisë, ka edhe një biznes tjetër të së njëjtës natyre, por asnjëri nuk gjendet në listat e klinikave të licencuara. Një hulumtim i Gazetës Insajderi tregon anën tjetër të këtij biznesi, që për pronare ka dikur figurën e famshme e aferës ‘Pronto’

    Visar Duriqi

    Një nga pyetjet që huton njerëzit nëpër kuize të diturisë, pjesa e mjekësisë, është kur pyetën se cili është organi më i madh i trupit. Rëndom dështojnë, pasi që përgjigja është: lëkura.

    ‘Ej Center’ është një biznes që merret bash me shërbime që në thelb janë futje e materialeve kimike në këtë organ- në lëkurë, ose ato që njihen në industri si ‘fillerat’.

    Postimet e këtij biznesi figurojnë tash e mbi 6 vite më parë, derisa fjalët ‘pacient’ e ‘mjek’ nuk janë të rralla në to.

    Megjithatë, as ky biznes, e as biznesi tjetër i ndërlidhur me të përmes pronares, ‘Grand Estetic’, nuk figurojnë në listën e klinikave të licencuara.

    Të dy këto firma në Regjistrin e Ministrisë së Tregtisë del të jenë në pronësi të Arbenita Pajazitit, një nga personazhet e famshëm të aferës ‘Pronto’- përgjimet e EULEX-it kundër figurave të Partisë Demokratike të Kosovës, dhe jo vetëm, që rezultuan me akuza e seanca maratonike në Gjyq.

    Në fund, Pajaziti ishte liruar nga akuzat, pasi në rigjykim Prokuroria hoqi dorë, derisa në akuzën fillestare mbi të rëndonin veprat për mashtrim, pasi që, siç thuhej në aktakuzë, ajo pati mashtruar Ministrinë e Financave duke i thënë Komisionit për Pranim të nënshkruajë certifikata të rreme të pranimit duke pretenduar se malli ishte marrë kur në fakt nuk kishte qenë kështu.

    Pajziti pastaj u kthye me punë, përsëri, në Ministrinë e Shëndetësisë. Aktualisht është e sistemuar në Departamentin për Cilësi, Siguri, Licencim dhe Akreditim të Institucioneve Shëndetësore.

    Bash në këtë departament është i publikuar edhe dokumenti me emrin “Institucionet Private Shëndetësore të Licencuara 2020-2025”, formati Exel. Në të nuk gjendet as ‘Ej Center” as ‘Grand Estetic’.

    Tash e dy javë Gazeta Insajderi ka kontaktuar me sipërmarrësen, Arbenita Pajazti, duke e kontaktuar direkt atë dhe dërguar pyetje në bizneset e saj, por e njëjta nuk ka kthyer asnjë përgjigje, as përmes kontakteve biznesore, as përmes e-mailit zyrtar që e ka duke qenë se është punëtore e Ministrisë së Shëndetësisë, departamentit ku marrin licenca bizneset e tjera që ofrojnë shërbime shëndetësore.

    Megjithatë, Insajderi ka marrë një përgjigje fillestare nga Zyra për Informim e Ministrisë që drejton Arben Vitia i Vetëvendosjes, që sipas tyre, edhe pse nëpër postimet e vet biznesit ka fjalë si ‘mjek’ e ‘pacient’, ky biznes nuk ka nevojë për licencë.

    “Sipas të dhënave, biznesi Ejcenter SHPK dhe Grand Esthetics nuk janë ordinanca shëndetësore, por janë biznese të regjistruara në ARBK. Këto biznese nuk ofrojnë shërbime shëndetësore, e as nuk kanë veprimtari shëndetësore”, thuhet në përgjigjen që është nënshkruar veç nga Divizioni i Komunikimit me Publikun, MSh, por pa ndonjë emër konkret.

    Pasi që Insajderi i kishte ofruar fakte që bizneset e sipërmarrëses, në të njëjtën kohë zyrtare e Ministrisë, Arbenita Pajaziti, ofrojnë shërbime që në thelb janë procedura të futjes së materialeve kimike në lëkurë, ka reaguar edhe Sekretari Permanent i MSh-së, Naim Bardiqi.

    Ai në një e-mail drejtuar punonjësve të MSh-së të përfshirë në komunikim me Gazetën Insajderi, thotë se punonjësit e MSh-së duhet të sigurohen “nëse institucioni në fjalë ofron shërbime të kujdesit shëndetësor pa u pajisur me licencë sipas legjislacionit në fuqi!”.

    Sekretari Bardiqi pastaj u shpjegon zyrtarëve të MSh-së se “çdo ndërhyrje madje edhe mikroinvazive në organizmin e njeriut me qellim të administrimit në formë sc, im, iv apo për os të pajisjeve (medical device) apo produkteve mjekësore duhet të bëhet nga ose nën mbikëqyrjen e mjekut të licencuar (ekzekutimi i recetës bëhet nga profesionisti shëndetësor -farmacist sipas përshkrimit të mjekut)”.

    Ai tuje iu kujton që  “ofrimi i shërbimeve shëndetësore bëhet në institucionin e licencuar shëndetësor nga Ministria e Shëndetësisë, sipas legjislacionit në fuqi!”.

    Insajderi ka pritur edhe disa ditë, por deri më tash nuk ka marrë një përgjigje tjetër nga MSh-ja, edhe pse iu ka ofruar faktet që firma e biznesmenës, Arbenita Pajaziti, ofron shërbime që vet ata thonë që iu ofrohen pacientëve dhe kanë edhe mjekë, e madje edhe organizojnë trajnime për mjekë, por megjithatë nuk ka licencë.

    “Ej Center” në faqen e tyre në Facebook thonë që janë “distributor ekskluziv i kompanisë zvicerane Matexlab me seli në Lugano. Neauvia Organic”.

    Në faqen e tyre në internet Neauvia e përshkruan vetën si kompani në fushën e shëndetësisë. Thonë që, që nga 2012-ta kur u krijuan, janë njëra ndër kompanitë me rritjen më të shpjet në 80 vende të botës në kujdesin shëndetësorë për praktikues të mjekësisë (mjekë) e  pacientë.

    Vite më parë vet ‘Ej Center”, pronë e zyrtares së Ministrisë së Shëndetësisë, Arbenita Pajaziti, kishte sponzorizuar një lajm për ‘fillerin’, sipas tyre organik nga Zvicrra, e ku që në atë kohë bënin me dije se “mjekësia estetike është një trend i ri në mjekësinë moderne”. E, megjithatë, “Ej Center”, nuk ka licencë për ofrim të shërbimeve mjekësor.

    Pa licencë, por që atëherë e kishin shpërndarë vet lajmin, që kishin mjekë e pacientë në operimin e tyre si biznes.

    “Zyra përfaqësuese e “Neauvia” në Kosovë ka trajnuar tashmë 35 mjekë për aplikimin e këtyre mbushësve dermalë. Mbushësit dermalë janë pajisje medicinale dhe si të tillë duhet të injektohen vetëm nga mjekët. Këta mjekë janë trajnuar nga ekspertë ndërkombëtarë të “INSTITUTIT Scientific NEAUVIA” dhe janë të gatshëm t’u ofrojnë shërbime pacientëve”, thuhej në këtë publikim të bërë nga vet ‘Ej-Center’.

    Ky biznes, aktualisht pa licencë, në vitin 2018 madje kishte krijuar një “ngjarje” në faqen e tyre në facebook, ku tregonin se po organizonin një trajnim dy ditorë për ‘fillera’, e ku pos tjerash kërkonin që pjesëmarrësit të ishin vetëm mjekë ose stomatologë.

    Ata thonin se në trajnim do të mësoheshin këta mjekë e stomatologë për të përdorur ‘fillerin’ zviceran, që sipas tyre është organin, dhe shtuan se në këtë rast këto produkte janë “të vetmet produkte në treg të importuara me licencë nga Ministria e Shëndetësisë”.

    Derisa Ministria e Shëndetësisë nuk i ka kthyer Gazetës Insajderi, përgjigje shtesë, ajo që deri tash ka dështuar për më shumë se një muaj që ti kthej përgjigje Gazetës është edhe Dogana e Kosovës.

    Insajderi e kishte pyetur këtë institucion për importin e botox-ave në vend dhe se kush ka licencë për të, por deri tash ky institucion ka dështuar që të ofroi përgjigje.

    Derisa sa i përket këtyre produkteve, me theks të veçantë botox-it, pas arrestimit të një turku të dyshuar që po e fuste atë kontrabandë Kosovë, Gazeta Insajderi ka marrë disa komente nga Agjencia e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM) dhe Inspektorati Shëndetësor.

    AKPPM-ja i ka thënë Insajderit që lidhur me produktin “Botulinum toxin / Botox, ju njoftoj se gjatë periudhës janar 2024 – mars 2025 nuk ka aplikuar asnjë kompani Farmaceutike për import”.

    “Referuar legjislacionit në fuqi, ky produkt klasifikohet si produkt medicinal dhe po i njejti duhet paraprakisht ti nënshtrohet procedurave të Autorizim Marketingut e më pastaj të aprovohet leja e importit. Aktualisht produkti Botulinum toxin nuk ka Autorizim Marketing në Republikën e Kosovës”, thuhet në përgjigjet e AKPPM-së për Insajderin.

    Derisa Inspektorati Shëndetësor, gjatë periudhës janar – dhjetor 2024 dhe tremujorit të parë të këtij viti, thotë që ka ndjekur planin e bërë më herët, dhe shton se për këtë periudhë nuk “kemi marrë asnjë ankesë specifike lidhur me shërbimet që keni ngritur përmes pyetjeve tuaja (Botoxin)”.

    Arbenita Pajaziti, derisa nuk ka në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit formularë të publikuar të pasurisë, hulumtimi i Insajderit ka gjetur se e njëjta ka në pronësi biznesin “Ej Center” që e ka themeluar më 8 korrik 2014 dhe për aktivitet kryesor biznesor e ka lënë të shkruar kodin “9609- aktivitetet e tjera p.k.t.”, derisa veprimtari dytësore e ka edhe “tregtia me pakice e artikujve farmaceutikë në dyqane të specializuara (Barnatore)”, e megjithatë nuk figuron as te lista e bizneseve të licencuara nga AKPPM-ja.

    Më 28 mars 2019, ajo regjistron edhe biznesin “Grand Estetic”, ku edhe këtu është aksionare e vetme me 100 % të pronësisë. Në këtë biznes, aktivitet kryesor ka regjistruar “tregtia me pakicë e artikujve ortopedikë dhe mjeksorë, në dyqane të specializuara”, por as ky biznes nuk figuron në ndonjë listë licencash në Kosovë në fushën e shëndetësisë.

    Hulumtimi i Insajderit ka zbuluar po ashtu se Arbenita Pajaziti, që në përshkrim të punës në Qeverinë e Kosovës/ Ministria e Shëndetësisë, ka hartimin “e politikave për Cilësi dhe Siguri të institucioneve shëndetësore”, si pagë primare e ka atë nga arka e shtetit- Thesari.

    Por, që nga fillimi i vitit 2024 së paku, deri në muajin e katërt të këtij viti, në vazhdimësi ajo ka marrë edhe dy paga sekondare dhe atë një nga ‘Ej Center’ e një nga ‘Grand Estetic’- dy bizneset në pronësi të saj.

    Ligji për zyrtarët publik, së paku për ata që e deklarojnë pasurinë, i ndalon ata që duke qenë zyrtar publik, të kenë edhe aktivitete direkte në bizneset private, por nuk ua ndalon mbajtjen e aksioneve. Sipërmarrësja Pajaziti në të dyja bizneset, pos pronare e vetme është edhe Drejtoreshë /Agjente e regjistruar në të dyja. /Gazeta Insajderi


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark