×
  • Kulturë
  • Show / Kulturë

    “E gjithkohshmja Andërr”, Donika Dabishevci u kushton libër poetik viktimave të luftës

    Insajderi
    11 March 2024 - 14:16
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Poetja e njohur Donika Dabishevci vjen para lexuesve me librin e saj më të ri me poezi, titulluar “E gjithkohshmja Andërr”, botuar nga Shtëpia Botuese Littera.

    Dabishevci, e njohur për lexuesit si poete e dashnisë, nuk i është ndarë kryefjalës së saj poetike. Edhe në këtë libër dashnia frymon e pulëson n’secilën poezi, n’secilën strofë, n’secilin varg. Por, kësaj radhe – dashnia për jetën. Edhe në momentet ma t’randa, ma t’ errëta, ma t’mynxyrshme. Edhe në luftë!

    Libri “E gjithkohshmja Andërr” u kushtohet viktimave të luftës.

    “Është rekuiem poetik për t’vrarët, t’masakruemit, t’dhunuemit, t’gjymtuemit, për t’therrunit e t’djegunit për s’gjalli. Për bebet e fmijtë e ndamë mizorisht prej jete. Për nanat mbetun qyqe n’themele shpijash t’rrënueme. Për nuset me duvak t’zi e shpirtnat e djegun t’jetimave. Për vorret pa emna e eshnat pa vorre…”, ka theksuar Dabishevci.

    Ka qenë e vështirë që tmerrin e luftës dhe gjithçka që ajo thërmon e përbinë në ingranazhet e saja me e nyjëtu poetikisht, t’parënduem emocionalisht e t’realizuem artistikisht. Distanca kohore, puna, leximet e rikthimet e shpeshta te çdonjana prej poezive, besoj, e kanë ba t’mundun këtë”, thotë autorja e librit, Donika Dabishevci.

    Redaktor i librit, shkrimtari dhe studiuesi Gëzim Aliu, i cili ka shkruajtur parathënien e librit, ndër të tjera thotë:

    Poetja e ka aftësinë që skenat, ngjarjet, storiet e rënda, të tmerrshme, të lemerishme, t’i krijojë estetikisht bukur, çfarë është shumë e vështirë, pothuajse e pamundshme. Trajtimi poetik i luftës, kur e njeh luftën, kur e ke përjetuar luftën, kur ende nuk e dimë a e kemi tejkaluar traumën e saj, është ripërjetim, edhe për poeten, edhe për lexuesit. Të futesh në pellgun e gjakut me mjete poetike, letrare, estetike, të dalësh, të rrëfesh, të shpëtosh, të bësh art, është madhështi shpirti. Donika e dëshmon madhështinë shpirtërore e mjeshtërinë letrare me “E gjithkohshmja Andërr”.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark