“E goditi sëpatë në kokë”- Detaje tronditëse nga dosja e Prokurorisë për vrasjen mizore në Ferizaj – Insajderi
×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    “E goditi sëpatë në kokë”- Detaje tronditëse nga dosja e Prokurorisë për vrasjen mizore në Ferizaj

    Insajderi
    07 February 2025 - 09:49
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.
    Shkruan: - Besnik Gashi

    Një vrasje mizore për motive ende të panjohura ka ndodhur më 23 janar të këtij viti në fshatin Manastirc të Komunës së Ferizajt. Leutrim Fejza dyshohet se e ka privuar nga jeta Bekim Varin. E gjithë ngjarja besohet të ketë ndodhur në mal.  Atje i pandehuri pabesisht nga mbrapa e ka goditur me sëpatë tashmë viktimën, duke i shkaktuar humbjen e jetës nga plagët. Insajderi ju sjell detaje nga dosja e Prokurorisë së Ferizajt:

    Siç e përshkruan Prokuroria e Ferizajt rastin, i cili po udhëhiqet nga prokurori Shukri Jashari, teksa viktima dhe i pandehuri po ktheheshin në këmbë nga Pleshina e Ferizajt, devijojnë rrugën dhe nisen për në malet e fshatit Manastirc.

    Në dosjen e Prokurorisë, të cilën ka arritur ta sigurojë Gazeta Insajderi, thuhet se Leutrim Fejza me të arritur në afërsi të fshatit e godet Bekim Varin me sëpatë në kokë, e më pas në pjesë të ndryshme të trupit. Nga lëndimet trupore, ai ndërron jetë në vend të ngjarjes.

    LEXO EDHE:

    Nga aty, çdoherë sipas Prokurorisë, ai gropos viktimën në një vend në mal duke e mbuluar me dhe e me drunj kufomën, me qëllim të fshehjes së gjurmëve.

    Tek më datën 5 shkurt, gjendet trupi i pajetë i viktimës, kurse në afërsi të kufomës gjenden edhe rrobat e djegura të viktimës.

    Me të arritur afër fshatit i pandehuri për motive ende të panjohura fillimisht e godet me sëpatë në kokë nga mbrapa pastaj e godet edhe disa herë në pjesë të ndryshme të trupit duke i shkaktuar dhimbje derisa të njëjtin e privon nga jeta, pastaj i njëjti viktimën e gropos në një vend në mal duke e mbuluar me dhe e drunjë kufomën me qëllim të fshehjes dhe zhdukjes së gjurmëve dhe largohet nga vendi i ngjarjes”, thuhet ndër të tjera në dosjen e Prokurorisë.

    Prokurori Shukri Jashari ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj t’ia caktojë masën e paraburgimit prej 30 ditësh, si i dyshuar për veprën penale “Vrasje e rëndë”.

    Në kërkesën e Prokurorisë, të përpiluar nga prokurori Jashari, bëhet e ditur se i dyshuari ka dhënë deklarata kontradiktore përgjatë intervistimit dhe ka tentuar t’i shmanget përgjegjësisë penale.

    Tutje bëhet e ditur se Prokuroria do të intervistojë edhe dëshmitarë të tjerë, ku një nga ta dyshohet që është ftuar nga i pandehuri dhe viktima që t’i transportojë deri në mbarim të fshatit Pleshinë të Ferizajt.

    Si fillim, Bekim Vari ishte shpallur i zhdukur nga familjarët më 29 janar. Policia e Kosovës kërkonte ndihmë nga qytetarët për gjetjen e tij

    Më 29.01.2025, familjarët kanë raportuar në Policinë Rajonale të Ferizajt se BEKIM SHABAN VARI, i lindur më 01.03.1987, është larguar nga shtëpia në fshatin Pleshinë e Ulët të Ferizajt më 22.01.2025, rreth orës 17:00 dhe që nga ajo kohë nuk dihet asgjë për vendndodhjen e tij“, thuhej në njoftimin e Policisë së Kosovës.

    Bekim Vari më pas është gjetur i vdekur para dy ditësh nga banorët e fshatit Manastirc të Ferizajt. /Insajderi.org/


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark