×
  • Lajme
  • Lajme

    “E ka reagimin e lartë në dënimin e Kosovës”- Bislimi hidhërohet keq me ndërkombëtarët

    Insajderi
    06 August 2024 - 17:42
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi iu ka reaguar ashpër ndërkombëtarëve, pasi që përfaqësuesit e shteteve të QUINT’it e kanë kundërshtuar kategorikisht veprimin e Policisë së Kosovës lidhur me ndalimin e veprimtarisë së Postës së Serbisë në katër komunat veriore.

    Bislimi, me anë të një postimi në ‘Facebook’ ka pretenduar se Bashkimi Evropian ka më shumë vullnet ta “dënojë Kosovën” dhe ta rikthejë prapa në nivel të dialogut teknik sesa dënimin e deklaratave të Vuçiqit dhe Bërnabiqit, shkruan Gazeta Insajderi.

    “Dialogu në Bruksel në vend se të përqëndrohej në çështjet qendrore dhe tejet të rëndësishme, e që lidhen me mohimin e Serbisë të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit Implementues të Ohrit, të shprehur si përmes shkeljeve të shumëfishta por edhe nga letra zyrtare e deponuar në Shërbimin e Jashtëm të BE-së nga ish-kryeministrja Brnabiq, si dhe deklaratat e vazhdueshme nga presidenti Vuçiq dhe së fundmi kryeministrit Vuçeviq, BE-ja gatishmërinë e reagimit po e ka më të lartë në dënimin e Kosovës dhe rikthimin prapa të procesit në çështjet e dialogut teknik, duke kontribuar negativisht në ecjen përpara drejt marrëveshjes finale”, deklaroi Bislimi.

    Reagimi i tij vjen pas ndalimit të operimit të Postës së Serbisë në katër komunat veriore, ku institucionet e Kosovës thane se po operon ilegalisht në vend.

    “Posta e Serbisë ka vepruar ilegalisht në territorin e Republikës së Kosovës. Veprimet e ndërmarra ditën e djeshme nga Policia, janë vetëm në shërbim të mbrojtjes së sundimit të ligjit, konkurrueshmerisë, dhe kushtetutshmërisë në vend. Strukturat paralele dhe aktiviteti ilegal, nuk kanë vend në Republikën e Kosovës. Kjo, do të duhej të mbështetej fuqishëm edhe nga partnerët e aleatët tanë ndërkombëtarë”, deklaroi Bislimi ndër të tjera.

    “Një entitet i Serbisë, në këtë rast Posta e Serbisë, ka operuar jashtëligjshëm jashtë territorit të Serbisë, e për më tepër në një shtet të cilin ajo nuk e njeh. Prezenca e këtyre zyrave në territorin e Republikës së Kosovës përveçse paraqet shkelje të rëndë të parimeve të fqinjësisë së mirë, ato gjithashtu përbëjnë aktivitet ilegal, shkaktojnë çrregullim tregu, dhe prishjen e konkurrencës”, ka deklaruar ndër të tjera ai. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark