Deklarata e bërë nga kryeministri i Shqipërisë Edi Rama se bashkimi i Shqipërisë me Kosovën është në ëndrrat e tij, ka shkaktuar reagime në Beograd e Moskë.
Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme ruse, Maria Zakharova ka thënë se Moska e konsideron të papranueshme deklaratën e Ramës dhe pret një reagim siç e ka quajtur “të përshtatshëm nga Perëndimi”.
“Ne e konsiderojmë deklaratën e kryeministrit shqiptar Edi Rama për bashkimin e Shqipërisë dhe Kosovës absolutisht të papranueshme. Promovimi i planeve për krijimin e një Shqipërie të Madhe është në kundërshtim të madh me dispozitat e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit dhe minon stabilitetin në rajon,” tha Zakharova, raporton Tass.
Sipas saj, “kjo deklaratë nuk futet në kontekstin e përpjekjeve të përbashkëta nga Beogradi dhe Tirana për të krijuar një treg të vetëm, të cilin ata po e ndërmarrin si pjesë e nismës rajonale “Ballkani i Hapur” së bashku me Shkupin”.
“Ne presim një reagim të përshtatshëm nga mentorët perëndimorë të projektit të shtetndërtimit të Kosovës ndaj këtij provokimi të pacipë”, tha Zakharova.
Për deklaratën e kryeministrit shqiptar ka reaguar edhe ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Aleksandër Vulin, i cili tha se krijimi i “botës serbe” është e vetmja pengesë që sipas tij mund ta ndalë krijimin e “Shqipërisë së Madhe”.