Prokuroria në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër një zyrtareje, e cila sipas aktakuzës e ka shfrytëzuar autoritetin zyrtar në cilësi të përmbarueses private – duke keqpërdorur kështu pozitën, shkruan Insajderi.
Nga aktakuza bëhet e ditur se e pandehura ka konfiskuar traktorin e tipit “Hurliman” duke mos qenë pronë e të dëmtuarit por pronë e tani të ndjerit H.B.,nga fshati Reshtan – Komuna e Suharekës.
Me këtë veprim e pandehura ka tejkaluar kompetencat e saj me qëllim që të përfitojë dobi për vete ose për personin tjetër – derisa poashtu ka rënë në kundërshtim me Ligjin për Procedurën Përmbarimore.
Më poshtë aktakuza e plotë:
“Sipas aktakuzës, e pandehura S.K., si person zyrtar duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar në cilësi të përmbarueses private, i tejkalon kompetencat e saj me qëllim që të përfitoj dobi për vete ose për personin tjetër apo që t’i shkaktoj dëm personit tjetër, në atë mënyrë që me datë 22.12.2021 rreth orës 10:00, në kundërshtim me Ligjin për Procedurën Përmbarimore, në oborrin e shtëpisë së të dëmtuarit Xh.G., nga fshati Studençan – Komuna e Suharekës, urdhëron përmbarimin në objektin e papërshtatshëm, e konfiskon traktorin e tipit “Hurliman” duke mos qenë pronë e të dëmtuarit por pronë e tani të ndjerit H.B., nga fshati Reshtan – Komuna e Suharekës, të cilin e dërgon në pllacin ndërtimor të kreditorit B.G., NPT “L.”, në rrugën e Reshtanit të Suharekës”, thuhet në njoftim.
Me këto veprime, e pandehura akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
“Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, e pandehura e lartcekur për veprën penale për të cilën akuzohet të shpallet fajtore dhe të dënohet sipas ligjit”, thuhet tutje.