×
  • Lajme
  • Lajme

    E kujt është përgjegjësia për hapjen e urës së Ibrit?

    Insajderi
    21 June 2024 - 08:16
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Simbol i ndarjes dhe vend i tensioneve janë vetëm dy nga mënyrat se si është përshkruar ndër vite ura kryesore mbi lumin Ibër, e cila ndan Mitrovicën në dy komuna.

    Për dikë, hapja e saj është edhe simbolikë dhe çështje tërësisht politike, pasi qytetarët gjejnë rrugë alternative për të kaluar nga një zonë në tjetrën.

    Diskutimet për urën janë aktualizuar në javët e fundit, pas thirrjeve në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut që ura të hapet tërësisht për qarkullim.

    Këtë komunë në veri të Kosovës e udhëheq Erden Atiq nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje.

    Kryetari i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, Nexhad Uglanin, pati thënë se zbatimi i vendimit për çështjen e urës u takon autoriteteve qendrore dhe institucioneve të sigurisë.

    Zyrtarë të këtij Kuvendi, madje, patën thënë se hapja e urës është edhe nën juridiksion të Mitrovicës së Jugut dhe të misionit paqeruajtës të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) në Kosovë, KFOR.

    Edhe zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, pati paralajmëruar në maj se ura “do të hapet shpejt”, dhe se po diskutohet me eprorët se si të bëhet kjo.

    Faktori ndërkombëtar, në anën tjetër, po kërkon vazhdimisht të ketë koordinim mes të gjitha palëve të prekura që të mos përshkallëzohet situata.

    Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, njëherësh deputet opozitar në Kuvendin e Kosovës, Rashit Qalaj, thotë për Radion Evropa e Lirëse vendimi për hapjen e urës i takon Qeverisë së Kosovës, por se nuk beson që ajo mund të veprojë asisoj pa koordinim me faktorin ndërkombëtar, sidomos me KFOR-in.

    “Nëse Qeveria e Kosovës merr vendim, frikësohem që nuk do të zbatohet nga KFOR-i”, shprehet ai.

    Karabinierët italianë të KFOR-it kanë prani të përhershme mbi urën e Ibrit dhe kryejnë patrullime në rrethinë. Ura vëzhgohet edhe prej pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.

    Qeveria e Kosovës beson se liria e lëvizjes duhet të sigurohet në të gjithë territorin, por Serbia e konsideron hapjen e urës si “provokim”.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark