
Italia ka filluar përgatitjet drejt Botërorit. Kombëtarja e Gennaro Gattusos pret në dy ndeshje të vlefshme për kualifikimet e Kampionatit Botëror, Estoninë dhe Izraelin.
Gigio Donnarumma i dha lamtumirën PSG-së dhe, në orët e fundit, ka firmosur me Manchester Cityn e Pep Guardiolës.
“E vërteta është se në ditët e fundit e kam ndjerë situatën time, por kam vazhduar të stërvitem mirë. Sinqerisht, mezi prisja të shkoja te Man City, sepse Guardiola më donte shumë. Nuk mund të jem tjetër veçse krenar që kam arritur në një klub si City. Jam shumë i lumtur”, deklaroi kapiteni i Italisë, transmeton Klankosova.tv.
Donnarumma foli edhe për Luis Enriquen i cili ishte ai që e largoi nga “Parku i Princave”. “Kam pasur gjithmonë një marrëdhënie shumë të mirë me të. E kam vlerësuar sepse ka qenë i drejtpërdrejtë me mua. I zhgënjyer? Nuk e di, është e drejtë që çdo trajner të bëjë zgjedhjet e tij.
Mbështetja e shokëve të skuadrës më bëri të kuptoj çfarë kam dhënë te PSG-ja dhe kjo është gjëja më e rëndësishme. Përtej futbollit mbetet kjo. Të dish për dashurinë e të gjithëve, të gjithë ambientit të PSG-së, të shokëve të mi, më bën krenar. Kur ma tha që kishte mbaruar? Ma tha në fillim të grumbullimit. Unë u stërvita, i bëra të gjitha mirë dhe nga ana fizike e mendore jam shumë mirë”, përfundoi Donnarumma.