Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, sapo u zgjodh si udhëheqës i kësaj komune, nga objekti komunal ku u zotua se s’do ta lëshojë deri t’i përfundojë mandati, votoi për hapjen e Urës së Ibrit. Ai gjithashtu dërgoi kërkesë në ZRRE që të fillojë faturimin e veriut, si dhe kërkoi nga Zyra Kombëtare e Auditorit që të fillojë auditimin e kësaj komune. Por, Atiq përfundoi duke e ekzekutuar vetëm vendimin e funksionalizimit të e-kioskës së komunës.
Kuvendi Komunal i Komunës së Mitrovicës së Veriut, bashkë me Atiqin, votuan për hapjen e Urës së Ibrit, vendim ky që u kundërshtua nga ndërkombëtarët. Hapja e Urës së Ibrit mbeti nën kompetencën e Ministrisë për Administrimin e Pushtetit Lokal, shkruan Gazeta Insajderi.
Ministri i kësaj ministrie, Elbert Krasniqi, para tri jave tha se do të procedohet ky vendim. Megjithatë, që prej tensionimit të situatës në veri, nuk ka pasur asnjë deklaratë për urën.
“Ky vendim është në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal në kontrollim të ligjshmërisë dhe proceseve administrative. Porsa të përfundojë ky vlerësim, ajo do të jetë në tryezën time dhe më pastaj unë do të vazhdojë me procedimin e tij”, thoshte Krasniqi.
Insajderi ka provuar ta kontaktojë disa herë ministrin Krasniqi për ta pyetur më pas për këtë vendim, mirëpo ai nuk ka qenë i qasshëm.
Atiq kapi pushtetin furishëm, ku parashtroi disa kërkesa teksa injoronte në ditët e para situatën e tensionuar në veri nga protestuesit lokal serbë. Ai kërkonte fillimisht nga ZRRE-ja që ta bënte faturimin energjisë elektrike në Mitrovicën e Veriut.
“Sot ju drejtova KOSTT dhe ZRRE me kërkesën për të na kyçur dhe filluar pagesën e rrymës elektrike në institucionet publike të Komunës sonë. Gjithashtu kërkova që të na njoftojnë mbi borxhin që i duhet paguar institucioneve të Republikës së Kosovës për rrymën e papaguar nga komuna që drejtoj”, deklaronte ai në ‘Facebook’-un e tij.
I pari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, një ditë më pas, kërkoi nga Zyra Kombëtare e Auditimit që të nis auditimin e kësaj komune për vitet 2021 dhe 2022.
“Sot kam kërkuar zyrtarisht nga Zyra Kombëtare e Auditimit që të filloj auditimi i Komunës së Mitrovicës së Veriut për vitet 2021 dhe 2022”, njoftoi ai.
Përgjatë periudhës fillestare sa Atiq u zgjodh kryetar, përflitej edhe për rindërtimin e xhamisë në Mitrovicën e Veriut. Megjithatë, për këtë s’u fol kurrë.
Kryetari nga radhët e VV-së gjithashtu inicioi procedurat për anëtarësimin e Mitrovicës së Veriut në Asociacionin e Komunave të Kosovës.
“Ju njoftoj se me qëllim të mbrojtjes dhe promovimit të interesave të përbashkëta komunale, bazuar në nenin 31 dhe 32 të Ligjit për qeverisjen lokale, në bashkëpunim me Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut, kemi filluar procedurat për anëtarësim të komunës së Mitrovicës së Veriut në Asociacionin e Komunave të Kosovës”, deklaroi ai.
Furia e Atiqit si pushtetar u pa edhe në refuzimin në pjesëmarrje në takim me ambasadorin e SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, në ftesën që ua kishte bërë katër kryetarëve të komunave të veriut.
Kryeministri Kurti e kishte arsyetuar mos-pjesëmarrjen e Atiq, duke thënë se ky i fundit “ishte në orar të punës”.
“Ata u ftuan gjatë orarit të punës. Kjo nuk do të thotë që nuk do t’i takojnë ambasadorët një herë tjetër, por atë ditë ishin në orar pune dhe është vlerësuar se ishte e rëndësishme. Ajo ka qenë një ditë e veçantë, kur prej Lepsoaviqit të shkohet në Prishtinë me të gjitha ato turma rrotull”, deklaronte Kurti.
Megjithatë, puna e parë e Atiqit ishte larg premtimeve e vendimeve që mori. Ai arriti të funksionalizojë e-kioskun, makinën e cila në mënyrë elektronike iu mundëson qytetarëve t’i nxjerrin më lehtë dokumentet personale.
“Nga sot qytetarët do të mund të shfrytëzojnë E-Kioskun për të nxjerrë dokumentet e tyre personale. Mbetemi të përkushtuar që të lehtësojmë shërbimet për qytetarët në secilin sektorë”, deklaroi ai në ‘Facebook’, teksa njoftoi për vendimin.
Përkundër që parashihej që kryetarët e sapozgjedhur shqiptarë të komunave veriore të kishin mandat dy-vjeçar, Atiq dhe kryetarët e tjerë të veriut nuk duket se kanë jetëgjatësi në udhëheqje komunale.
Kjo, pasi që ndërkombëtarët me këmbëngulje po kërkojnë zgjedhje të reja në veri dhe pjesëmarrje të serbëve në zgjedhjet eventuale.
Emisarët ndërkombëtarë parashtruan tri kërkesa në drejtim të Qeverisë së Kosovës: de-përshkallëzimin e menjëhershëm të situatës në veri, mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri dhe rikthimin në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja.
Deri më tani, ata ende nuk kanë marrë përgjigje zyrtare nga Qeveria e Kosovës. /Insajderi.org/